Ilustrim

Mungesat e shkollave të zanatit në Kosovë

Paragjykimi dhe mungesa e pajisjeve po konsiderohen disa prej arsyeve kryesore pse arsimi profesional nuk është treguar shumë i suksesshëm në Kosovë.

Emisioni “Jeta në Kosovë” ka diskutuar përgatitjen e nxënësve të shkollave profesionale për treg të punës në sektorin privat në Kosovë.

Bleron Morina, nxënës i shkollës teknike në Obiliq tha se shkolla nuk i ka mundësuar të aftësohet tërësisht për tregun e punës

“Shkolla ime ku unë mësoj nuk pajis aq sa duhet për tregun e punës se s’ka pajisje të duhura, s’ka laboratore. Nuk mendoj që jam i gatshëm për tregun e punës, se hala s’kam njohuri… Aftësitë i kam mbushur në trajnim”, tha Morina.

Në lidhje me mungesat e shkollave profesionale foli edhe Nazmi Zogaj, drejtor i Shkollës së Kompetencave në Malishevë.

Sipas tij ka rënie të madhe të numrit të nxënësve në këtë shkollë, sidomos këtë vit.

“Është mungesë e nxënësve, me theks në vitin e fundit. Kemi megrim të nxënësve, rënie të natalitetit por vetëm nataliteti nuk e ka bërë këtë mungesë. Nëpër banka tona kanë kaluar 950 deri 1 mijë nxënës ndërsa tash i kemi vetëm 600”, tha ai.

Ai përmendi edhe disa prej arsyeve se pse sipas tij paragjykohen shkollat profesionale.

“Prindërit nuk i trajtojnë drejt shkollat profesionale. Janë të lëna anash, janë si shkolla të nivelit të dytë të tretë apo më poshtë. Udhëzimet e prindërve janë që fëmiu im është për gjimnaz ose duhet të shkojë në fakultet e tjera. Arsimi profesional zhvillon ekonominë”, tha Zogaj.

Lidhur me këtë temë në emision folën: Valbona Fetiu Mjeku, MAShT; Berat Lahu, Menaxher i Burimeve Njerëzore; Leunita Luzha, Qendra e Trajnimit; Edona Nahi, GIZ; Bleron Morina, Nxënës; Nazmi Zogaj, Drejtor i Shkollës Profesionale.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: