Mungesa e ujit pas sulmit në Ibër-Lepenc, vendoset një cisternë me ujë pranë Kalasë së Vushtrrisë
Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Mitrovica”, ka vendosur një cisternë me ujë të pijes pranë Kalasë së qytetit në Vushtrri.
Për shkak të sulmit të mbrëmshëm (29.11.2024) në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, disa lokalitete të Mitrovicës dhe Vushtrrisë po përballen me mungesë të ujit.
Në një njoftim të Komunës së Vushtrrisë thuhet se kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente për këtë çështje.
“Në terren gjendet edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili ka vizituar cisternën nga e cila po furnizoheshin qytetarët vushtrrias. Ndër të tjera, kryetari Idrizi, tha se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet relevante pas sulmit të mbrëmshëm ku u dëmtua kanali i Ibër Lepencit, duke bërë kështu që të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm”- njofton Komuna e Vushtrrisë, të shtunën më 30.11.2024.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – Lajm në Zhvillim