Mungesa e ujit - deklarohet KRU 'Mitrovica'

Qyetarë të Rajonit të Mitrovicës janë zgjuar me mungesë të furnizimit me ujë, në shtëpitë e lokalet e tyre, më 2.12.2024.

Kjo ka ndodhur si pasojë e punimeve të zhvilluara, gjatë natës, në kanalin e Ibër Lepencit.

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se trajtimi i ujit do të bëhet prej orës 12:00.

,,Mungesa e ujit të pijes ka ardhur si pasojë e punimeve të zhvilluara në kanalin e Ibër Lepencit, të cilat kanë ndodhur gjatë natës – e, të cilat, tashmë, janë tejkaluar falë punës së palodhshme të Stafit dhe jo vetëm. Tani jemi në përgatitje të rikthimit të furnizimit dhe, sipas parashikimeve tona, presim që trajtimi i ujit të fillojë prej orës 12:00.”- thuhet në njoftim.

Se, qytetarët të cilët furnizohen nga ‘Ibër Lepenci’, mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme, e tha dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

,,Për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit, që është dëmtuar nga sulmi terrorist – për të ruajtur sigurinë e kanalit – ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike.  Për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë, në mesnatë. Si rrjedhojë, komunat, që furnizohen me ujë nga ‘Ibër Lepenci’, mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme.” – ka thënë Rizvanolli, në njoftimin e saj, në Facebook.

Ajo shtoi, se: ‘intervenimet në Kanal sapo kanë përfunduar dhe se furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar’.

,,Ndërsa, nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës. Sikurse, edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i Termocentralit me ujë për ftohje – për të zgjeruar, pastaj, furnizimin për KRU-të; sa më herët, që është e mundshme.” – tha, tutje, Rizvanolli.

Ajo falënderon ekipin e ‘Ibër Lepencit’, kontraktorin për punën në kanal, Ministrin Xhelal Sveçla dhe Zëvendësministrin Hysen Durmishi – të cilët, sipas saj, ‘kanë përcjellur nga afër punën në terren, gjatë gjithë natës’.

Një pjesë e kanalit të ujit Ibër-Lepenc, në Zubin Potok, është dëmtuar, më 29.11.2024, në një sulm – i cili u cilësua të jetë terrorist, pasi që preku infrastrukturën jetike të Kosovës.

Raportimet, nga ky shpërthim, i gjeni në linkun e mëposhtëm:

https://kallxo.com/lajm/lajm-ne-zhvillim-shperthim-ne-zubin-potok-demtohet-kanali-i-ujit-te-iber-lepencit/