Ilustrim

Mungesa e përkrahjes ndaj viktimave tkurr denoncimet për dhunë në familje

L.D. u martua me shkuesi në moshën 24-vjeçare dhe që në vitin e parë të martesës u përball me dhunëm e ushtruar nga bashkëshorti. Situata thotë ajo vazhdoi të rëndohej dhe në vitin e katërt të martesës vendosi ta denoncojë bashkëshortin në polici, pasi kishte frikë se ai do ta vriste.

“U fejova dhe u martova shumë shpejt, duke mos pasur mundësi që ta njoh mirë bashkëshortin tim,” tha 28-vjeçarja, ndërsa shtoi se “që në muajit e parë të martesës ai ishte i dhunshëm.”

“Konsumonte alkool dhe më dhunonte,” theksoi gruaja në një bisedë në fillim të këtij viti në zyrën e një avokati.

Ajo tha se fillimisht ka shpresuar se bashkëshorti do të ndryshonte me ardhjen në jetë të fëmijëve. Pas dy vitesh martesë ka lindur, por kjo nuk ka sjellë ndonjë përmirësim në marrëdhënien e tyre. Madje, bashkëshorti nga i cili tani ajo është ndarë, u bë më i dhunshëm pasi kishte humbur punën.

Megjithëse kërkoi ndihmën e familjes së saj dhe asaj të bashkëshortit, ajo nuk gjeti mbështetje.

“Nisën të më kritikonin në vazhdimësi,” kujton ajo.

Por kupa u mbush, kur i shoqi e rrahu rëndë duke i shkaktuar fraktura.

“Shkova në polici dhe bëra denoncim. Të them të drejtën policia veproi menjëherë, e arrestuan dhe çështja iu referuar prokurorisë,” tregon L.D.

Ajo mori një urdhër mbrojtjeje nga gjykata dhe në pak muaj divorcin, edhe pse ish-bashkëshorti nuk donte të ndahej.

Sipas ekspertëve dhuna në familje është një nga arsyet e rritjes së numrit të divorceve dhe çështjeve familjare që përfundojnë në Gjykatën e Lezhës. Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, numri i këtyre çështjeve u rrit nga 222 në vitin 2016, në 334 në vitin 2019.

Por ndryshe nga çështjet familjare dhe kërkesat në rritje për divorc, denoncimi dhe çështjet penale për dhunë në familje kanë shënuar rënie, nga 34 raste në vitin 2016 në 20 të tilla në vitin 2019.  Njëlloj ka një rënie edhe të kërkesave për urdhër mbrojtjeje. Pas një kulmi kërkesash në vitin 2017 me 124 urdhra të lëshuar, në vitin 2019 kishte vetëm 67 kërkesa të tilla.

Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme sugjerojnë gjithashtu se numri i viktimave të dhunës në familje që marrin guximin për të denoncuar dhunuesit është në rënie që prej vitit 2016 në të gjithë vendin.

Instituti Kombëtar i Statistikave, INSTAT, raporton se vetëm në vitin 2019 pati 4177 raste të dhunës në familje të raportuara në polici, ndërsa gjykatat në total lëshuan 2836 urdhëra mbrojtje. Nga viti 2013 deri në vitin 2019, dhuna në familje ka shënuar 135 viktima, pjesa më e madhe e tyre gra dhe vajza.

Ndër vite Shqipëria ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh ligjore dhe ashpërsimi dënimesh për dhunën në familje, por situata mbetet njësoj problematike.

Psikologu vlerësues, Besmir Frroku thotë se rritja e dhunës në familje shpesh vihet re tek fëmijët, edhe pse këta nuk janë në qendër të vëmendjes.

“Fëmijët po rriten me shumë pasoja psikologjike që fillojnë dhe reflektohen në zhvillimin e tyre të mëvonshme,” tha ai.

“Shoh shumë fëmijë që po bëhen agresivë si pasojë e sjelljeve agresive që kanë prindërit,” shtoi Frroku.

Pas vitit 2016, çështjet penale të ndërtuara mbi shkeljen e nenit 130/a (dhunë në familje) të Kodit Penal ranë me gati 16 për qind vit pas viti, pavarësisht të raportimeve nga organizatat e shoqërisë civile për shtimin e dhunës me bazë gjinore.

“Normalisht që femrat nuk e kanë të lehtë të denoncojnë dhunën,” shprehet avokatja Shaqe Marinaj, e cila po ndjek një numër çështjesh të dhunës në familje në Gjykatën e Lezhës.

“Kur të marrësh një vendim të tillë, duhet të mendosh për divorc dhe kështu po ndodh në pjesën më të madhe të rasteve,” shtoi ajo.

Marinaj i referohet një sërë problemesh që hasin gratë viktima të dhunës në familje, përfshirë mungesën e përkrahjes nga familjet dhe shoqëria, pasigurinë ekonomike për vete dhe fëmijët, probleme të strehimit dhe një sërë frikërash të ngjashme.

“Të them të drejtën, pasi e denoncova u frikësova, se ai do dilte nga burgu dhe do më vriste,” i tha BIRN 28-vjeçarja L.D., duke shprehur pasigurinë se sistemi i drejtësisë do mund ta ndihmonte.

Një nënë e tre vajzave që ka kaluar në të njëjtin kalvar si L.D., i tha BIRN se e kishte gjetuar kurajon që ta denonconte bashkëshortin vetëm pas 10 vjetësh.

“Pas 10 vitesh martesë nuk munda ta duroj ma dhe vendosa ta denoncoj në polici,” tha gruaja, ndërsa shtoi se tani është në proces divorci.  “Nuk jetohet në këtë mënyrë,” përfundoi ajo. (reporter.al)