Mungesa e Nuredin Lushtakut e pamundëson mbajtjen e seancës në rastin ‘Veteranët’

Ka dështuar të mbahet të mërkurën (13.11.2024) seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Veteranët” ndaj të akuzuarit, Agim Çeku dhe të tjerëve.

Seanca dështoi pasi mungoi i akuzuari, Nuredin Lushtaku.

Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri, bëri të ditur se sot në ora 09:00 ka pranuar një raport mjekësor nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Tahir Rrecaj lidhur me të akuzuarin Nuredin Lushtaku.

Pasi nuk pati kushte ligjore për mbajtjen e seancës, gjyqtari Gazmend Bahtiri e ndërpreu seancën dhe ajo e radhës u caktua që të mbahet gjatë muajit dhjetor, 2024.

Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Gazmend Bahtiri – kryetar dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Valdet Gashi.

Në lidhje me rastin “Veteranët”, Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t`u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK .