Mungesa e ndriçimit publik u shkakton probleme banorëve në Vaganicë të Mitrovicës Jugore

Mungesa e ndriçimit publik në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në lagjen “Vaganicë” në Komunën e Mitrovicës Jugore, është bërë problem për banorët.

Frekuentimi i kësaj rruge përgjatë errësirës së mbrëmjes, për banorët e lagjes tash e tri vite po paraqet problem.

Banorët kanë treguar se në rrugën  “Ali Pashë Tepelena” nuk ka fare ndriçim.

Ata thonë se rrugët dytësore të kësaj pjese janë me ndriçim publik, por se rrugës kryesore i mungon ndriçimi.

Latif Ibrahimi, banor i kësaj lagjeje, ka thënë se që tri vite është kjo gjendje me mos funksionimin e ndriçimit publik.

Ibrahimi thotë se për këtë kanë kontaktuar edhe me zyrtarë komunal, por nuk kanë marrë përgjigje.

Mungesa e ndriçimit publik, u ka krijuar telashe në lagje, thotë Ibrahimi.

“Këtu dihet, gjatë stinës së dimrit është me më së shumti problem. Errësohet në ora 16:00, fëmijët lëshohen nga shkolla këtu në Vaganicë që është, ballafaqimi me qentë endacak, nga vetë errësira dhe rreziqet që i bartë kjo rrugë”- ka shtuar Ibrahimi.

Sipas tij, ankesat e banorëve nuk po merren seriozisht nga komuna.

Lavdim Hyseni, banori tjetër i lagjes “Ali Pashë Tepelena”,  ka thënë se nata është krejtësisht e errët në lagje.

“Për të gjithë, por më së shumti për fëmijët që janë një pjesë e shoqërisë që atakojnë më së shumti çdo cep të lagjes”- ka thënë Hyseni për KALLXO.com

Hyseni këtë gjendje e cilëson si mosinteresim dhe neglizhencë të organeve kompetente komunale.

“Që tri vite, ne shkojmë në komunë, asnjë zyrtar komunal nuk na ka thënë që ka me u rregullu kjo gjendje me ndriçim, siç po e shihni edhe ju”- vazhdon banori Lavdim Hyseni.

Banorët thonë se nuk mund ta kuptojnë edhe faktin se vetëm një pjesë e rrugëve të kësaj lagjeje kanë mungesë të ndriçimit e disa të tjera jo.

“Rrugët tjera kanë ndriçim, veç na nuk kem, nuk po e di arsyen se kujt është duke i konvenuar që kjo lagje të jetë pa ndriçim publik”-  është shprehur Hyseni.

Sipas tij, gjatë bisedave dhe takimeve me  drejtorët dhe zyrtarët e tjerë  komunal gjithmonë premtohet se kjo çështje do të rregullohet, por se të njëjtit nuk ndërmarrin asgjë.

Banori tjetër Sylejman Selmani,  tregon se jetesa në mungesë të ndriçimit publik në pjesën ku ai jeton, është e vështirë.

“Më shumë se 50 shtëpi në këtë pjesë jetojnë çdo ditë me një frikë, jo prej qenve endacak jo,  vet prej rrugës se gjithçka po ndodh tash”- ka thënë Sylejman Selmani.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Granit Tmava, ka treguar për KALLXO.com se gjatë vitit 2024 pritet të nënshkruhet një kontratë e re për zgjerim të rrjetit të ndriçimit publik në këtë zonë.

“Presim gjatë këtij viti ta nënshkruajmë një kontratë të re për zgjerim të rrjetit të ndriçimit publik, do të jetë prioritet edhe shtrirja e ndriçimit publik në rrugën e lartcekur, (të vazhdohet ku kemi mbetur) dhe vazhdimisht jemi në kontakt me përfaqësuesin e fshatit Vaganicë, i  cili na informon lidhur  me kërkesat dhe ankesat e asaj zone”- ka thënë Tmava sot më 27.08.2024.

Tmava në përgjigjen e tij, nuk ka qartësuar se përse deri më tani nuk është intervenuar për rikthimin e ndriçimit publik në rrugën “Ali Pashë Tepelena”, megjithatë sipas tij, gjatë vitit të kaluar është bërë zgjerimi i disa lagjeve në këtë zonë dhe është bërë mirëmbajtja e tyre.

“Në Vaganicë kemi bërë zgjerim të rrjetit të ndriçimit publik në 11 lagje të ndryshme  një prej tyre është edhe një pjesë e rrugës “Ali Pashë Tepelena”- ka deklaruar Tmava.