Ilustrim

Mungesa e mjekëve në Junik, QKMF me vetëm një mjek të përgjithshëm

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në komunën e Junikut po përballet me mungesë të mjekëve të përgjithshëm. Vetëm një mjek i përgjithshëm është duke ofruar shërbime për qytetarët në këtë komunë.

Mungesën e mjekëve të përgjithshëm e ka theksuar edhe drejtori i QKMF-së në Junik, Ali Kuçi.

Kuçi për KALLXO.com ka deklaruar se një mjek po punon në dy ndërrimet derisa të paraqitet edhe një tjetër.

“Unë kam bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që me na pru një specializant e me vazhdu prapë qysh kemi vazhdu me dy ndërrimet por akoma nuk kanë mujtë me na siguru një mjek”, ka thënë Kuçi.

Tutje, ai shpjegoi se për dy herë më radhë është hapur konkurs për mjekë të përgjithshëm nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) por që nuk është paraqitur askush.

“Dy herë e kemi hapë konkursin për mjek përforcues me Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk është paraqitur askush”, njofton Kuçi.

KALLXO.com ka kontaktuar me MSh-në në lidhje me mungesën e mjekëve në këtë komunë.

MSh ka njoftuar se në fillim të vitit 2022 kanë shpallur një konkurs për mjekë të përgjithshëm përfshirë edhe në Junik, për dy pozita.

“MSh në fillim të vitit 2022 ka shpallur konkurs për Mjekë të Përgjithshëm, ndër të tjera edhe në Komunën e Junikut 2 pozita. Në këtë komunë është zgjedhur vetëm një mjek, sepse nuk ka pasur aplikacione të tjera”, është përgjigjur MSh për KALLXO.com.

Tutje, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se do të plotësojë edhe pozitën tjetër nga listat rezervë të komunave tjera nëse ndonjëri nga mjekët pranon vendin e punës.

Ish-kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi në “DebatPernime” kishte deklaruar se kishte mungesë të mjekëve në këtë QKMF dhe se edhe pse shpallnin vazhdimisht konkurse për atë pozitë, nuk kishte kandidatë.

“Aktualisht kemi katër vende të lira të punës për mjekë, vazhdimisht shpallim konkurse. Është një sfidë sepse mjekët kanë shkuar në qendrat kryesore e jashtë Kosovës. Konkursi është i hapur por s’ka kandidatë”, kishte thënë Kuçi.