Gjykimi për 1 milion euro shmangie nga tatimi. FOTO: KALLXO.com

Mungesa e mbrojtësit e anuloi seancën për shpërlaje të parave

Është anuluar gjykimi ndaj Nuhi Shalës dhe Shahe Tahirukaj, të akuzuare për shpëlarje të parave dhe shmangie nga tatimi.

Arsyeja e anulimit të kësaj seance, ishte mungesa e njërit prej mbrojtëseve, i cili paraprakisht e kishte njoftuar Gjykatën për mos prezencën e tij në seancën e sotme.

Për KALLXO.com gjykatësi i rastit Valon Kurtaj, ka thënë se kjo seancë është anuluar për shkak të gjendjes shëndetësore të njërit nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Kujtojmë se me aktvendimin e datës 20 nëntor 2019, Departamenti Special i kësaj Gjykate kishte aprovuar pjesërisht kërkesat për hedhjen e aktit akuzues të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, avokatët Emrush Kastrati, Leon Përlaskaj dhe Florent Latifaj, për pikat V, VI dhe VII të dispozitivit të aktakuzës.

Si rrjedhojë, gjykata ka pushuar procedurën penale sa i përket këtyre pikave të dispozitivit të aktit akuzues për të akuzuarit Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja me arsyetimin se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ky vendim i nxjerr në shkallë të parë është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka hedhur pjesërisht aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Të akuzuarin Nuhi Hoxha prokuroria po i vë në barrë se që nga viti 2006 deri në 2014 në cilësinë e pronarit të Firmës “D.SH. BIMI SHPED” dhe i autorizuar në firmat “Edi” me pronar Edmond Curri, “Rrufeja” me pronarë Shahe Tahirukaj, “FISI” me pronar Fisnik Kajtazi dhe “A&E” me pronar Mensur Peja, duke ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, pasi që veç kishte kryer veprat penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi, së pari i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara.

Sipas aktakuzës ato para në shumën prej 2,734,708.00 euro i ka deponuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni dhe vende tjera me qëllim që të fsheh apo maskojë burimin, vendin, dispozicionin e tyre. Me këtë Nuhi Hoxha akuzohet për shpëlarje të parave.

I njëjti sipas prokurorisë akuzohet edhe se në periudhën kohore 2006-2014 ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajtje të rreme dhe ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset “FISI”, “Rrufeja” dhe “A&E” ku me veprimet e tij i ka mundësuar bizneseve tjera përfitim të kundërligjshëm. Përfitimi për veten apo për të tjerët është 674,312,79 euro, ku edhe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Se ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente më përmbajte të rreme akuzohet edhe Shahe Tahirukaj. Nga këto fatura fiktive e njëjta ka fituar vlerën prej 3 për qind për secilën nga to. Me këtë ajo ka fituar vlerën prej 18,241,21 euro.

Nuhi Hoxha dhe Shahe Tahirukaj akuzohen edhe se kanë deklaruar një qarkullim më të vogël se qarkullimi real i biznesit N.P.SH. “Rrufeja”.

Të njëjtën sipas aktakuzës Nuhi Hoxha e ka bërë edhe me Edmond Currin në biznesin D.P.H. “Edi”, me Fisnik Kajtazin në biznesin N.T.SH. “Fisi” dhe Mensur Pejën në biznesin “A&E”.

Në bazë të aktakuzës Nuhi Hoxha ka bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 30,174.13 euro, Shahe Tahirukaj dhe Nuhi Hoxha në vlerë prej 7,572.05 euro, Shahe Tahirukaj edhe në vlerë prej 419,555.51 euro, Nuhi Hoxha dhe Edmond Curri në vlerë prej 187,083.10 euro, Nuhi Hoxha dhe Fisnik Kajtazi në vlerë prej 393,178.72 euro, Nuhi Hoxha dhe Mensur Peja në vlerë prej 86,478.82 euro.

 

Akuzohen për 1 milionë euro shmangie nga tatimi, seanca nuk mbahet