Mungesa e Listës Serbe në Kuvend shtyn përsëri ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare

Në mungesë të deputetëve të Listës Serbe, Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës ka vendosur që të mos procedojnë me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin të ligjit për festat zyrtare.

“Përfaqësuesit serbë nuk janë në seancë, atëherë nuk mund të procedojmë fare me këtë ligj”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se kanë rënë dakord që kjo pikë të mos hyjë më në rend të ditës pa u marrë një pëlqim paraprak nga të gjitha palët që kanë ndikim vital.

“Ka qenë një konsensus i Kuvendit që të mos hyjë më në rend të ditës sepse po përsëritet në çdo seancë por realisht nuk janë kushtet me u votu. Le të hiqet fare nga rendi i ditës dhe të mbetet për kurdo që të krijohen kushtet në kryesi”, ka deklaruar Gashi.

Fridon Lala nga IRDK tha se janë pajtuar që deri se të arrihet një konsensus për shkak se janë ende në bisedime me Listën Serbe.

“Në të njëjtën kohë jemi duke i shqyrtuar edhe mundësitë tjera të cilat i kemi thënë në Kuvend nëqoftëse do të krijohet një grup që do të punojë në ligjin për festa zyrtare sepse jemi dakorduar që të punohet në të dhe nëse ka mënyra tjera që kjo festë të integrohet dhe komunitetit egjiptian t’i njihet e drejta kushtetuese njëjtë si grupeve tjera”, ka thënë  deputeti Lala.

Votimi i shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, është shtyrë edhe më parë në Kuvend për shkak të mungesës së deputetëve nga Lista Serbe.

Gjithashtu, me 74 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar Projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Me 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar.

Mirëpo Kuvendi nuk ka pasur kuorum për të votuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2020.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, tha se Komisioni për Ekonomi dhe ai për Buxhet e kanë shqyrtuar këtë raport dhe kanë rekomanduar që mos të miratohet.

Besnik Tahiri tha se grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta votojë rekomandimin e komisionit, pasi sipas tij po bëhet gjyq publik ndaj anëtarëve të agjencive.

“Ne jemi duke ua drejtuar gishtin njerëzve përmes një raporti po u bëjmë gjyq publik përderisa kur ka kësi të dhëna duhet t’i çojmë në prokurori”, ka deklaruar deputeti Tahiri.