Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Mungesa e kuorumit, dështon votimi i raportit vjetor të KQZ-së për vitin 2020

Ndonëse në sallë ishin 64 deputetë, vetëm 54 nga ta kanë votuar për miratimin e raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Komisioni për buxhet dhe për legjislacion ka rekomanduar që të mos votohet ky raport.

Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, para deputetëve ka arsyetuar rekomandimin për mosvotim të këtij raporti.

“Të mos miratohet raporti i punës së KQZ-së  për vitin 2020. Komisioni për legjislacion në mbledhjen e mbajtur më 28.06.2021 e ka shqyrtuar raportin e punës së KQZ-së. Raportin para Komisionit e ka paraqitur Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, i cili para deputetëve foli për punën dhe angazhimin, sfidat, ndikimin e pandemisë, sfidat për organizimin e zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut”, tha ai

Armend Muja, kryetar i Komisionit për buxhet, ka thënë se raporti nuk duhet të miratohet për dy çështje.

“Për dy çështje për ne ka pasur shpjegim të pakënaqur: e para ka qenë sa i përket investimeve kapitale megjithëse kanë pasur të alokuara mjete sa i përket shpenzimeve kapitale në teknologji informative në mënyrë që të lehtësohet votimi nga jashtë, ajo nuk është realizuar, dhe shpjegimi ka qenë i pakënaqshëm”, tha ai.

Përveç investimeve kapitale, Muja ka përmendur edhe mosthemelimin e komitetit për auditim të brendshëm.

“Auditimi i brendshëm, mosthemelimi i komitetit të auditimit, shpjegimet që i kemi marrë nga KQZ-ja kanë qenë inkonsistente dhe për këtë arsye komisioni ka vendos mos me miratu, me mesazh që nga KQZ-ja ta ketë përkushtim për këtë çështje”, tha ai.

Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se anëtarët e pozitës në Komisionin për legjislacion nuk kanë miratuar raportin e KQZ-së vetëm për të arsyetuar shkarkimin e ish-kryesueses Valdete Daka.

“Menjëherë pas shkarkimit të Valdetet Dakës, ne kemi shqyrtuar raportin e prezantuar nga Kreshnik Radoniqi dhe ka qenë një raport relativisht i mirë, por fatkeqësisht atje në komision jemi nda pozitë-opozitë sepse nuk e kemi vlerësu punën e KQZ-së. Pozita më shumë e ka arsyetuar shkarkimin joligjor të Valdete Dakës dhe kjo i bjen ‘mas pari pe pushkatojmë dhe pastaj po ja bëjmë vendimin”, tha ai.

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha që arsyetimet e të dy komisioneve të cilat rekomanduan mosmiratimin e raportit nuk janë reale.

“Arsyetimet nuk janë të bazuara nga kompetencat që i ka KQZ-ja, duhet të jemi realë, nuk duhet të ndikohemi nga shkarkimi i kryetares së KQZ-së. Grupi parlamentar mendon që të mos shihen vetëm nga syri i momentumit politik, ato që u thanë për KQZ-në do të duhet të dalin si rekomandime për KQZ-në”, tha ai.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se ‘keqpërdorimet’ për zgjedhjet janë të shkaktuara nga partitë politike dhe jo nga KQZ-ja.

“Dështimet, keqmenaxhimi, vjedhja e votave, shantazhimi, kanë ndodhur prej subjekteve politike, pra nëse dojmë me adresu këtë çështje duhet të ulemi të diskutojmë çka duhet të ndryshojmë në procesin zgjedhor, dhe jo ta drejtojmë gishtin te KQZ-ja sepse nuk është e drejtë”, theksoi ai.

Më 14 qershor të këtij viti, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte shkarkuar kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Dakën.

Po atë ditë, presidentja Osmani kishte emëruar në krye të KQZ-së, Kreshnik Radoniqin.

Emërohet kryetari i ri i KQZ-së pas shkarkimit të Valdete Dakës