Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Mungesa e kuorumit, dështon votimi i Projektligjit për deklarimin e pasurisë

Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur ta kalojë Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave pasi që nuk ka pasur kuorum.

Pas disa polemikash mes ministres Albulena Haxhiu dhe deputetëve, Kuvendi  hodhi në votim këtë projektligj, por në të morën pjesë  vetëm 59 deputetë.

Abelard Tahiri shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha që si të tillë nuk e mbështesin këtë projektligj, sepse i përfshinë edhe mjekët dhe profesorët në deklarimin e pasurisë.

“Kemi kërkuar që të kemi dakordim që profesorët e fakultetit dhe mjekët të largohen nga lista e deklarimeve, ju mund të thoni përse nuk keni propozuar amendamente, por nuk kemi propozuar se nëse ju si shumicë nuk e keni vullnetin ne nuk mundemi me bo kurrgjë, një gjë e tillë nuk ka ndodhe”, tha Tahiri.

“Ne jemi kundër që profesorët të  deklarojnë një gjë të tillë, sepse nuk menaxhojnë me paranë publike, mjekët poashtu , nuk janë të ekspozuar në aferat publike”, theksoi ai.

Tahiri propozoi që këto dy kategori të kthehen në komision dhe të hiqen e pastaj të votohen në Kuvend.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë tha që këto kategori do të deklarojnë pasurinë, por që deklarimi i tyre nuk do të jetë publik.

“Qëndrimi jonë ka qenë që mjekët dhe profesorët ta deklarojnë pasurinë por që deklarimi i tyre të mos jetë publik. Janë profesione të ndjeshme dhe duhet të deklarohet pasuria. Është hipokrizi që mos më dhënë amendamente kur je kundër”, tha ajo.

Hykmete Bajrami deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkoi që të deklarohen edhe kursimet e trustit në deklarimin e pasurisë.

“Unë e konsideroj që kjo është pasuri, konsideroj që gabimi është më i madh i juvi si ministre sesa i imi si deputete”, tha ajo

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkoi që të mblidhet prapë komisioni dhe të shtohen këto vërejtje.

Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e sistemit të deklarimit të pasurisë, duke përfshirë mënyrat dhe procedurat e deklarimit të pasurisë dhe të dhuratave, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së deklaruar dhe të dhuratave, si dhe subjektet deklaruese me qëllim të parandalimit të korrupsionit, konfliktit të interesit dhe fuqizimin e integritetit të institucioneve publike, përfshirë edhe sanksionimin.