Çmimi i vajit ushqimor, 10.03.2022/ Foto: KALLXO.com.

Mungesa e Komisionit të Konkurrencës pamundëson hetimin e rritjes së çmimeve

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK), Sakip Imeri, ka deklaruar se janë duke monitoruar çmimet e produkteteve esenciale, pas rritjeve të çmimeve të vazhdueshme ditëve të fundit në tregun kosovar.

Imeri për KALLXO.com thotë se hetim të këtyre çmimeve nuk mund të bëjnë pasi është në kompetencë të Komisionit të Konkurrencës. Ky komision ende nuk është funksional, pasi tek dje Qeveria ia dërgoi Kuvendit propozimet e anëtarëve.

Sipas tij, shihet se ka abuzim të çmimeve, por që nuk mund ta konstatojnë këtë.

“Jemi duke i monitoruar produktete bazike ushqimore sepse hetim nuk mund të bëjë. Këtë e bënë komisioni i konkurrënces. Në dukje këto shihet që janë abuzive, por pa u shqyrtu nuk mund të konstatojmë”, thotë Imeri.

Më 9 mars, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për t’i dërguar Kuvendit listën e emrave për kryetar, zëvendës-kryetar dhe anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Hekuran Nikqi është propozuar për kryetar; Kaltrina Sela për zëvendëskryetare ndërsa Shpend Miftari, Besnik Stublla dhe Nafie Nosdautaj janë propozuar për anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Tash e disa muaj ky autoritet kishte mbetur pa ‘zot shtëpie’ në kohën kur vendi po përballet me një valë të rritjeve të çmimeve në treg.

Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.

Në anën tjetër, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin shkurt 2022 në Kosovë çmimi për një litër vaj ishte 1.69 euro. Por aktualisht çmimi për një litër vaj shkon derinë 3.49 euro.

Në disa dyqane, afër paketimeve të vajit dhe miellit shkruan që produkti është i limituar dhe qytetarëve u lejohet të blejnë vetëm një pako vaj ushqimor dhe dy pako miell.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Inspektoratin e Tregut për t’i pyetur në lidhje me inspektimet, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.

Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve nga bizneset dënohet me burg