Mungesa e kërkesës nga Prokuroria, lë të lirë të akuzuarit në rastin e KPM-së

Si rezultat i mos kërkesës së prokurorisë për masë të arrestit shtëpiak, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lënë të lirë Luan Latifin, ish-kryeshef i Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Arben Bilallin, drejtor financiar të dyshuar për korrupsion.

Këtë për KALLXO.com e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Të pandehurve L.L dhe A.B me datë 22.11.2021 iu ka skaduar masa e arrestit shtëpiak dhe të njëjtëve nuk ju është vazhduar, pasi që gjykata nuk ka pranuar propozim nga ana e Prokurorit të Shtetit për vazhdimin e masës, siç parashihet në nenin 183 paragrafi 8 të KPPRK-së”, ka thënë për KALLXO.com Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

KALLXO.com ka kontaktuar me prokuroren e rastit por e njëjta nuk është përgjigjur duke thënë që t’i drejtohemi zyrës për media.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Bilalli dhe Latifi ishin në arrest shtëpiak që nga shtatori i këtij viti deri më 22 nëntor.

Luan Latifi dhe Arben Bilalli ishin arrestuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për korrupsion.

Arben Bilalli, drejtor i financave në Komisionin e Pavarur për Media del të jetë kapur në flagrancë.

Kështu të paktën thuhet në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas kësaj dosjeje, Arben Bilalli së bashku me kryeshefin e KPM-së, Luan Latifin, ishin takuar me tre pronarët e një biznesi privat për të biseduar në lidhje me mosndëshkimin e tyre nga KPM-ja.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se pas këtij takimi, drejtori Bilalli i ka pranuar nga njëri prej bashkëpronarëve të biznesit shumën prej 8 mijë eurove të cilat ishin para të buxhetit të Policisë së Republikës së Kosovës.

Në dosje përshkruhet se pasi janë marrë këto para, Bilalli ka qenë në kontaktim të vazhdueshëm me kryeshefin Luan Latifi.

Pasi ishte ndaluar nga Policia e Kosovës, drejtorit të financave i ishin gjetur 8 mijë eurot e Policisë së Kosovës të cilat janë përdorur për simulim.

Ekskluzive – Dosja e Prokurorisë: Drejtori i KPM-së u kap në flagrancë