Mungesa e kanalizimit, ujërat e zeza derdhen në lumin "Drenica" në Drenas

Banorë të Komunës së Drenasit, përkatësisht të fshatit Çikatovë të Re apo siç njihet Drenas 3, janë ankuar se ujërat e zeza po derdhen në lumin “Drenica” që shtrihet përgjatë këtij vendbanimi dhe fshatit Shtrubullovë.

Sipas banorëve, nga gypat e vendosur nga Komuna e Drenasit në kuadër të projektit për ndërtimin të kolektorëve të ujërave të zeza, po rrjedhin ujërat e zeza. Ky projekt ka filluar vitin e kaluar por ka mbetur në gjysmë.

R.M. qytetar i kësaj komune, ka deklaruar për KALLXO.com se mungesa e rrjetit të kanalizimit po e dëmton në masë të madhe këtë lum dhe, sipas tij, po pamundëson qarkullimin afërsi saj për shkak të kundërmimit.

“Në lumin e Drenasit janë ndalë punimet edhe qe një vjet ma kurrkush nuk ka fillu me punu një pjesë e Drenasit, Drenasi 3 dhe një pjesë e fshatit Shtrubullovë, kanalizimi hidhet në lum. Ne fshatrat ma te thella te Drenasit janë kryer kanalizimet kurse ne lagjet ma te afërta te Drenasit vetëm nja 50 metra nga sheshi mbi 50 shtëpi nuk kanë kanalizim. Te gjithë i gjuajnë kanalizimet ne lum. Tash qe ka fillu me u nxeh koha na kundërmimi i kanalizimeve nuk mundesh me u afru afër lumit. Lumi i cili ka pasur shumë lloje te peshqve ma nuk ekziston asnjë”, u shpreh ai.

Qytetari ka dërguar në KALLXO.com edhe fotografi nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra për KALLXO.com ka deklaruar se këtë vit do të vazhdojë realizimi i këtij projekti i cili do të bëjë grumbullimin e ujërave të zeza përgjatë lumenjve.

Sipas tij, të gjitha ujërat e zeza të vendbanimeve do të grumbullohen të kolektori që do të ndërtohet në fshatin Dobroshec, përkatësisht të Guri i Plakës.

“Ju njoftojmë se vitin e kaluar i gjithë shtrati i lumit “Drenica” dhe “Verbica” në gjatësi mbi 40 kilometra është bërë pastrimi, zgjerimi dhe thellimi i këtyre lumenjve. Po ashtu vitin e kaluar ka filluar projekti për ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza përgjatë lumenjve dhe deri më tani gypat janë vendosur në një gjatësi ku ka përfshirë disa fshatra, ndërsa këtë vit do të vazhdon realizimi i këtij projekti i cili do të bëjë grumbullimin e ujërave të zeza përgjatë lumenjve. Të gjitha ujërat e zeza të vendbanimeve do të grumbullohen të kolektori që do të ndërtohet në fshatin Dobroshec, përkatësisht të Guri i Plakës”, tha Dobra.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.