Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mungesa e infermierëve në Klinikën Infektive

Klinika Infektive ka mungesë të infermierëve. Kështu ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj.

Ai tha se kjo mungesë është më e theksuar në kohën e kujdestarisë, pasi që nga 85 infermierë gjithsej, rreth 20 prej tyre nuk mund të kujdestarojnë, për shkak të moshës mbi 60 vjeç, për shkak se kanë fëmijë nën moshën 3-vjeçare, apo për shkaqe të tjera.

Sipas Vishajt, ka 3 muaj që e kanë bërë kërkesën në ShSKUK për rekrutim të infermierëve të rinj dhe ShSKUK-ja e ka përcjellur kërkesën në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ShSKUK-ja ka në zhvillim e sipër një konkurs për rekrutim të rreth 30 infermierëve. Dhe se ajo është duke i trajtuar me institucionet e tjera, kërkesat nese mund të bëhen angazhime të tjera të stafit, sipas nevojave të ndryshme në ShSKUK dhe në nivele të tjera.

Për mungesën e infermierëve dhe stafit tjetër, ish-drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, kishte folur në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Ai kishte deklaruar se numri i të punësuarve nuk është rritur që nga viti 2019. Dhe përveç se kanë nevojë për staf, ka edhe shumë mjekë me përvojë që janë larguar.

“Për shkak të mungesës së stafit kemi reparte të tëra që rrezikojnë të mbyllen nëpër spitalet e përgjithshme. Kemi nevojë edhe për ngritje të shërbimeve administrative përveç për mjekë”, tha Krasniqi.

Drejtori i Klinikës Infektive më tutje tregoi se në kushte normale kanë staf mjaftueshëm, por në kohën kur po përballemi me COVID-19, ka nevojë për më shumë.

Vishaj ka thënë se kanë më shumë se sa kanë nevojë.

“Mjekë kemi më shumë se sa kemi nevojë. I kemi gati 20 specializantë, çdo repart i ka nga 3 specialistë dhe secili repart i ka nga 2-3 specializantë. Ndodh nganjëherë i kemi 6 të sëmurë, e i kemi 5 mjekë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Në fillim të këtij viti Sindikata e Infermierëve të Kosovës kishte njoftuar se vetëm gjatë vitit 2021 nga Kosova janë larguar mbi 400 infermierë, ndërsa gjatë këtij viti pritet që ky numër të shkojë deri në 900 infermierë.