Mungesa e gjyqtares shtyn seancën për rrjetin e dyshuar për trafikim të drogës

Është shtyrë seanca në gjykimin kundër 10 të akuzuarve për krim të organizuar lidhur me trafikun e narkotikëve dhe shmangies nga tatimi.

Kjo seancë është shtyrë në mungesë të anëtares së trupit gjykues, Valbona Selimaj e cila mungoi për shkaqe shëndetësore.

Në këtë rast, Adem Nezaj, Xhevahir Suma, Burim Sejdiu, Gëzim Krasniqi, Jasir Bardi, Fuat Bardi, Frukan Bardi, Hajrullah Bushi, Daut Suma, Qerson Islami akuzohen se nga 3 tetori 2018 deri më 9 shkurt 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal sipas detyrave të ndara kanë sjellë drogën nga Republika e Shqipërisë për ta shitur në Kosovë.

Të akuzuarit e tjerë Jasir Bardi, Fuat Bardi, Furkan Bardi, Hajrullah Bushi, Daut Suma, sipas aktakuzës, kanë pasur detyrë të transportojnë të paktën 4 herë me vetura drogën nga territori i Kosovës për në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa të akuzuarit Burim Sejdiu  dhe Qerson Islami, po akuzohen nga Prokuroria edhe për veprën penale shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, udhëheqës i grupit ishte i akuzuari Xhevahir Suma ndërsa drogën nga Shqipëria në Kosovë pretendohet se e ka sjellë Adem Nezaj.

Ndërsa i akuzuari Burim Sejdiu, sipas Prokurorisë, kishte për detyrë që drogën e sjellë nga Shqipëria ta sistemonte në shtëpinë e tij në Ferizaj, ndërsa i akuzuari tjetër Zylbehar Krasniqi kishte për detyrë që drogën ta sistemojë në shtëpinë e tij në Han të Elezit, ndërsa Gëzim Krasniqi drogën ta sistemonte në mobilierinë “Niti” në fshatin Softaj.

Aktakuza thotë se i akuzuari Burim Sejdiu, duke qenë person i autorizuar i kompanisë “Burimi Trade” nga viti 2014 deri në vitin 2018 nuk i ka dokumentuar shitjet në përputhje me ligjin dhe më këtë i është shmangur pagimit të tatimit në shumë prej 5,945 euro.

Ndërsa Qerson Islami akuzohet se duke qenë pronar i “IQ Global”, për periudhën kohore nga viti 2014 deri në vitin 2018, ka prezantuar të hyra më të vogla se transaksionet bankare të realizuar e me këtë është shmangur nga pagimi i tatimit në shumë prej 4,783 euro.

Seancat e radhës do të mbahen me 21, 22, 23 dhjetor, në ora 9:00.