Mungesa e deputetëve shtyn votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum që të miratojë tri marrëveshje ndërkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha qe këto projektligje nuk mund të votohen pasi në sallë nuk kanë qenë 80 deputetë.

Në rend të ditës ka qenë votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurimin e ujit, votimi i për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Kuvendi nuk ka pasur kuorum që ta votojë në parim as Projektligjin për Peticione.

Kushte në Kuvend nuk ka pasur as për  votimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, pasi kanë munguar deputetët e komunitetit serb.