Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muli: LDK e PDK u bënë bashkë në Vushtrri për rrënimin e objektit të ish-gjykatës

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka votuar që ta rrëzojë objektin e Gjykatës së Vushtrrisë dhe aty të ndërtohet një shesh.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në qytetin e Vushtrrisë dhe mospajtime të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.

Asamblistja e Vetëvendosjes në Vushtrri, Gresa Muli, ka treguar se Kuvendi Komunal fillimisht kishte marrë vendim që objekti i Gjykatës së Vushtrrisë të jepet në shfrytëzim për 40 vite.

“Në janar të 2019, neve na ka ardhë një propozim, që të njëjtën pronë të Gjykatës, bashkë me pronën ku gjendet edhe “Ura e Gurit” me dhanë në shfrytëzim për 99 vite. Atëherë kryetarit nuk i ka ra ndërmend që të bëjë vlerësimin e objektit, përkundrazi na ka sjellë që ta japim për 99 vjet në shfrytëzim. Është votuar atëherë. Në shkurt të 2019, e kemi bërë plotësim-ndryshimin e atij vendimi, që atë objekt ta japim në shfrytëzim për 40 vite”, tha Gresa Muli në Kallxo Pernime.

Muli tregon se si kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri kishte deklaruar se LVV nuk po e voton për ndërtimin e sheshit në atë vend, për shkak të emrit të sheshit “Ibrahim Rugova”.

Muli thotë se kjo nuk është e vërtetë.

“Për këtë vendim, nuk është zhvilluar asnjë procedurë. Nuk është bërë asnjë shpallje e interesit për qytetarë. Në tetor të 2020 na ka ardhë propozimi prej kryetarit që aty të ndërtohet sheshi “Ibrahim Rugova” dhe mendimi i kryetarit se ne si LVV po e kundërshtojmë atë për shkak të emrit. Kjo nuk qëndronte, sepse ne si Vetëvendosje insistojshim që t’u jepet e drejta e qytetarëve për ta shprehur interesin”, tha tutje.

Sipas saj, është dashtë bashkëpunimi mes LDK-së dhe PDK-së në Vushtrri që të votohet ky propozim.

“Në Kuvend Komunal u tregua bashkëpunimi i PDK-së dhe LDK-së, dhe e mbivotuan propozimin. Kërkesa ime ka qenë që të shkoj në diskutim publik dhe të mos merret vendimi në Kuvend Komunal, e me njerëz të fushës, por kjo ndodhi”