Mulhaxha Kollçaku: Qytetarët nuk po i respektojnë masat sepse nuk i besojnë Qeverisë Hoti

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në seancën e  Kuvendit të Kosovës, me temën e vetme të rendit të ditës – raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, ka fajësuar Qeverinë Hoti  për mosmenaxhim të situatës me COVID-19.

Mulhaxha-Kollçaku ka theksuar se arsyeja pse qytetarët nuk po i respektojnë masat kundër pandemisë është besueshmëria e ulët e tyre ndaj Qeverisë aktuale.

Ajo ka shtuar se punëtorët shëndetësorë janë lënë anash dhe se Ligji i pagave ka qenë thjesht mashtrim.

“ Masat që i ka ndërmarrë sot Qeveria Hoti i ka marrë Qeveria Kurti por tash janë rrethana tjera. Në këtë Kuvend është duke u flijuar qytetari për inate personale të deputetëve. Me këtë rritje të numrit të rasteve sistemi shëndetësor është para kolabimit. Mashtrimi më i madh ka qenë Ligji i pagave, duke i lënë anash punëtorët shëndetësorë.  Besueshmëria e qytetarvë kurrë nuk ka qenë më e ulët sesa tani,  nuk ju besojnë, për këtë arsye nuk i respektojnë masat kundër COVID-19”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu ka akuzuar Qeverinë e Avdullah Hotit për mosmbikëqyrje të personave që janë të prekur me COVID-19.

“Përhapja ka dalë jashtë kontrollit sepse nuk ka mbikëqyrje, e shoqëron në spital të infektuarin me COVID-19, njeriu pozitiv. Për këtë arsye punëtorët shëndetësorë po thonë që na shkoi mundi dëm. Pa mbikëqyrje kanë ardhur edhe në Kuvend deputetë të cilët kanë qenë në proces testimi”, ka shtuar ajo.