Muja pyet ish anëtarët e bordit të KOSTT-it për shkëmbimin e energjisë me ndërmarrjen serbe EFT Group në vitet 2006-2008

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022,  ka intervistuar ish anëtarët e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008, Bujar Pallaska dhe Bashkim Krasniqi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka pyetur ish anëtarët e bordit të KOSTT-it nëse kanë informacione për ndërmarrjen serbe EFT group (Energy Financing Team).

Muja ka thënë se në atë periudhë rezulton që KOSTT dhe KEK kanë shkëmbyer energji me ndërmarrjen serbe.

“Ndërmjet vitit 2006 dhe 2008 në kohën kur ju keni shërbye, në bazë të dokumenteve dhe bilancit energjetik dhe kontratës kornizë rezulton se KOSTT dhe KEK kanë shkëmbye energji me EFT group në pronësi të Vuk Hamoviq, djali i ish gjeneralit të ushtrisë jugosllave, bashkëpunëtor i Millosheviq, dhe ne të njëjtën kohë i hetuar nga administrata amerikane dhe britanike për veprime korruptive në sektorin e energjisë”- ka thënë Muja.

Lidhur me këtë, ish anëtari i Bordit të KOSTT-it, Bujar Pallaska ka thënë se nuk ka informacione.

“Në bord nuk është lakuar ai emër, as në bord apo në zyrën e KOSTT”- ka thënë shkurt Pallaska.

Muja i ka pyetur anëtarët e bordit edhe për kompaninë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije).

Ish anëtari tjetër i bordit të KOSTT-it, Bashkim Krasniqi ka thënë se në atë kohë është raportuar se EPS i ka pasur borxhe KOSTT-it.

“Gjithherë është raportua për problematikat që na ka sjell EPS atë kohë. Jemi mundu që sa më pak me pasë punë me ta. Janë raportuar se ka pasë borxhe EPS-ja atë kohë. Nuk e di saktë shifrën e borxheve”- ka thënë Krasniqi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arber Rexhaj ka kërkuar që anëtarëve tjerë të bordit të kohës 2006-2008, t`u dërgohen pyetje me shkrim sepse nga dy anëtarët që ishin sot prezent nuk kanë marrë përgjigje.

“Këta të cilët janë prezent na kanë kthy me gjysmë përgjigje dhe me mos kujtesë. A mundemi atyre që nuk kanë qenë prezent t`ua dërgojmë me e-mail sepse në dy pyetje të cilat i kanë pasë të gjithë kolegët të Vuk Hamoviqi dhe EPS-ja nuk kemi përgjigje”- ka thënë Rexhaj.

Ish anëtari i bordit, Bashkim Krasniqi tutje tha se nuk dëshiron që deputetët të krijojnë bindje që ata po fshehin diçka.

Krasniqi tha se betohet që nuk e ka dëgjuar ndonjëherë emrin e Vuk Hamoviqit sa ka qenë anëtar i bordit në KOSTT.

“Kemi qenë anëtar të bordit por kryesisht KOSTT-i është menaxhuar nga zyra e UNMIK dhe vendimet nuk po dojmë me i fsheh por për këto pyetje, ju betohem që ketë emër ta kisha dëgjuar, unë do ta kisha kundërshtuar, sepse edhe kam përvojë familjare të hidhur prej atje. Nuk dëshirojë që ju të krijoni bindje që jemi duke fshehur diçka”- ka thënë ai.

Krasniqi tutje ka përmendur disa nga vendimet që janë marrë në atë kohë nga bordi i KOSTT-it, në të cilat ai ka marrë pjesë.

Ai thotë se në periudhë pothuajse tri vjeçare janë ballafaquar më konsolidim të ndërmarrjes.

“Ka qenë vendimi për biznes planin qe ka pasur të hartohet, dhe vendimi tjetër ka qenë plani strategjik 2006-2011 dhe kemi marrë një vendim për pagat dhe për shujta, ka pasur diskutim edhe për sigurimet shëndetësore”- ka thënë tutje Krasniqi.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka intervistuar sot edhe anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008.

Të ftuar në intervistim kanë qenë ish anëtarët Ethem Çeku, Agron Dida dhe Fatmir Rexhepi.