Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muja për çështjen e ambasadorit Berishaj: GEN-in e ka sjell PDK-ja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka folur për çështjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj me kompaninë GEN.

Ai ka thënë se kompania serbe e eksportimit të energjisë, GEN, është futur në tregun e Kosovës nga Partia Demokratike të Kosovës.

“Ajo çfarë dimë është se kompania serbe GEN ka filluar të punojë në Kosovë në vitin 2008 dhe kontratat e fundit me ta i kemi nënshkruar në vitin 2020. Dhe këto kontrata i ka nënshkruar Njazi Thaçi. E ka pru PDK-ja GEN-in këtu”- ka thënë Muja në Kuvendin e Kosovës.

Muja këto deklarata i bëri si kundërpërgjigje për aktivitetin e PDK-së, të cilët sollën në Kuvend fotografinë e kryeministrit Albin Kurti me ambasadorin Martin Berishaj.

Tutje Muja ka thënë se në Komisionin hetimor për energji, deputetët kishin vetëm përshëndetje e lëvdata ndaj Berishajt, ndërsa nuk kishte gjetje të komisionit hetimor.

Ai ka thënë se nëse formohet komision për Berishajn, duhet të formohet një komision hetimor parlamentar edhe për ish-ambasadorin Akan Ismajli.

“Por meqenëse po duhet edhe një komision hetimor për ambasadorët, propozoj që të kemi komision për 4 milionë frangat e padeklaruara të ish-ambasadorit Akan Ismajli, në kuadër të skandalit ‘Credit Suisse’. Ai ka qenë ambasador, s’i ka deklaruar. Ta shohim a ka diçka aty. Ka qenë operator i Bechtel-Enkas dhe ka bashkëpunuar me Veselinoviqin”, ka thënë Muja.

Një fotografi e kryeministrit Albin Kurti e ambasadorit Martin Berishaj është vendosur sot te ulësja e kryeministrit në Kuvendin e Kosovës.

Kjo fotografi e cila mban mbishkrimin “Unë i besoj Martin Berishajt”, është vendosur nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu e Hajdar Beqa.

PDK në vazhdimësi kanë kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.