Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muja për buxhetin e RTK-së: Projeksioni buxhetor për prill-qershor ka ardhur në Kuvend më 24 prill

Armend Muja, kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka reaguar në kritikën e Fadil Hoxhës, kryetarit të Sindikatës së RTK-së duke sqaruar se faj për vonesat e rrogave të më shumë se 800 punëtorëve të RTK-së kanë vetë menaxhmenti e bordi i RTK-së e jo Komisioni parlamentar që ai udhëheq.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës, Fadil Hoxha, sot i bëri “fajtorë” gjithë deputetët e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për mostransferimin e buxhetit për muajt prill-qershor për RTK-në nga buxheti i shtetit.

Muja i Vetëvendosjes i quajti të pavërteta këto deklarata duke sqaruar që kërkesa e RTK-së për buxhet ka ardhur vonë në Parlament e nuk janë deputetët ata që janë vonë. 

Muja tha se projeksioni buxhetor për prill-qershor ka ardhur në Kuvend më 24 prill dhe jo më herët.

“Kjo kërkesë ka arritur në Kuvend me datë 24.04.2023. Për t’u trajtuar në mbledhjen e rregullt të Komisionit për Buxhet (25.04.2023) materialet duhet ti shpërndahen deputetetëve së paku tri ditë para mbledhjes (Rregullore e Kuvendit)”- ka shkruar ai.

Muja ka thënë se ka një mënyrë për të evituar vonesat për buxhetin e RTK-së.

“Ka një mënyrë për të evituar këtë, siç është këshilluar RTK në të kaluarën: (1) Kërkesa për ndarje të mjeteve duhet të arrij në Kuvend para fillimit të tremujorit e.g 1 prill 2023, (2) Komisioni do ta trajtoj menjëherë në mbledhjen e radhës, natyrisht duke shfrytëzuar të drejtën e mbikqyrjes, (3) propozohet një model tjetër financimi”- ka shkruar ai.

Por Hoxha iu kundërpërgjigj deputetit Muja se për shkrimin e tij ai ishte bazuar në emailin që Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtori i Radiotelevizonit të Kosovës, ua kishte dërguar gjithë punonjësve të RTK-së duke thënë se ai “i ka kërkuar Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasfere që sa më parë të trajtojë raportet e RTK-së në mënyrë që të ekzekutohen transferi për periudhën prill-qershor 2023”.

Mirëpo, në këtë e-mail që Ahmetxhekaj ua ka dërguar sot punëtorëve nuk ceket që kërkesa për pagesën e ardhshme tremujore i ka shkuar Parlamentit 20-24 ditë me vonesë. Muja e postoi dokumentin e protokoluar që dëshmonte se bordi i RTK-së e kishte miratuar projeksionin buxhetor për periudhën prill-qershor 2023 tek më 20 prill 2023 në një takim online.

Besnik Boletini, kryetari i bordit të RTK-së, tha për Kallxo.com se projeksionin buxhetor për prill-qershor e kanë dërguar në Parlament më 20 prill.

Sindikata e Pavarur e RTK-së kishte kritikuar bordin dhe menaxhmentin pasi kishin zgjedhur të bëjnë punëtori vikendin e kaluar në një hotel turisitik në Kosovë duke krijuar shpenzime për fjetje jashtë Prishtinës në kohën kur ata iu ankuan Komisionit për Media të premten për mungesë fondesh.

Kallxo.com i ka dërguar pyetje edhe Shkumbin Ahmetxhekajt lidhur me datën e dërgimit të projeksionit buxhetor në Kuvendin e Kosovës por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Për shkak të këtyre vonesave, punonjësve të RTK-së nuk u është ekzekutuar paga e plotë por vetëm 50%.

Ndërkaq nesër Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të shqyrtojë ndër të tjera raportin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për tremujorin e ardhshëm.