Muja: Gjatë procesit për zgjedhjen e guvernatorit të BQK-së ka pasur ca shkelje

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për Trustin Pensional, i cili ka mbetur pa bord, po trajtohet edhe çështja e ngecjes së procesit për zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Që nga 29 marsi postin e guvernatorit të BQK-së e ka marrë përkohësisht Bashkim Nurboja (kryetar i bordit të BQK-së), pasi ish-guvernatorit, Fehmi Mehmeti, i ka kaluar mandati.

Institucionet nuk kanë arritur ta përfundojnë këtë proces, i cili ka nisur që nga nëntori.

Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, konsideron që gjatë procesit të zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore ka pasur shkelje.

Muja tha se nuk është bindur që është filtruar integriteti i kandidatëve për postin e guvernatorit të BQK-së.

“Unë konsideroj që ka pasur ca shkelje në procedurë, të cilat kandidatët e suksesshëm i bënë “vulnerabilë” ndaj gjykimeve apo rasteve gjyqësore. Dhe tjera çfarë nuk ka ndodhur në atë proces apo nuk jam i bindur që integriteti i secilit kandidat është filtruar. Në çdo rast qëllimi jonë është që të ketë një guvernator, që të jetë profil i pranueshëm, profesional dhe i pavarur”- tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Muja, i cili është edhe kryetar i Komisionit për buxhet, punë dhe transfere, tha se është e rëndësishme që të ketë një guvernator i cili reflekton konferencë profesionale dhe që është politikisht i pavarur. Ai përmendi edhe poentimin e kandidatëve, listën nga monitoruesit britanikë gjatë procesit të zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore.

“(Lista) nuk ka qenë e aprovuar nga britanikët. Kjo është çështja te guvernatori… Unë besoj që ne duhet ta kemi kohën e nevojshme për ta filtruar dikë që me konfidencë dal e them ky është i mirë për sektorin bankar. Banka Qendrore ka qenë një institucion i mirë një kohë por viteve të fundit është politizuar tej mase. Kjo listë është që një muaj ditë është duke u diskutuar, po diskutohet. Komisioni për buxhet e ka të drejtën që ia ka dhënë ligji dhe rregullorja e Kuvendit që me e pa a i ka plotësuar ky konkurs kushtet formale-juridike”- deklaroi ai.

Për 5 muaj institucionet nuk arritën ta zgjedhin Guvernatorin e BQK-së