Muja: Do të kërkojmë përgjigje nga RTK për vonesat në dërgimin e projeksionit buxhetor prill-qershor

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere u diskutua çështja e vonesës së pagave të punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe vonesa në dërgimin e projeksionin buxhetor për tre mujorin e dytë të 2023.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica tha se emaili i dërguar nga Ahmetxhekaj për punonjësit e RTK-së ka atakuar drejtpërdrejt deputetët e Komisionit për Buxhet. Korenica tha se ky detaj duhet të sqarohet sepse mund të dëmtohen ata si deputetë.

“Mendoj që duhet t’i evitojmë këto telashe që ne si depuetetë të mos atakohemi padrejtësisht. Projeksioni ka ardh me datën 20 prill por edhe administrata e Kuvendit ka pas faj sepse kur e kanë pranu e kanë kuptu edhe urgjencën dhe nevojën për trajtim. Neve edhe raporti për shpenzimet në tre mujorin e kalum i kemi marrë me vonesa, dje e kemi marrë. Andaj unë nuk do të marrë pjesë në votimin e kësaj pune. Por do të votoj për projeksionin buxhetor për tre mujorin e ardhshëm”- tha Korenica.

Ndërkaq, drejtori gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se emaili që ia ka dërguar nuk ka atakuar deputetët.

“Në emailin që ju e përmendi unë nuk kam bërë akuza ndaj askujt, kam thënë që kam kërkuar që të raportojmë dy herë në vit që të evitojmë varësinë nga vonesat eventuale në raportime apo mbajtje ose jo të mbledhjeve të komisionit”- tha Ahmetxhekaj.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj e quajti të papranueshme vonesën në paga për punëtorët e RTK-së.

“Është e papranueshme për mua me i lënë punëtorët pa paga, për neglizhencë të lihen pa u pagu. Edhe nëse kishit qenë të Aleancës ju kisha kritiku por na a po themi që jemi pa ngjyrime politike”- tha ai.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja tha se Komisioni do të kërkoj përgjigje nga RTK që pse projeksioni buxhetor është bërë me vonesë dhe nuk është bërë sipas ligjit, që thotë se projeksioni duhet të dërgohet para përfundimit të çdo tre mujori.

“Ne duhet ta kemi të qartë pse është bërë me 20 prill kërkesa për ndarje buxhetore pse nuk është bërë sipas ligjit përpara përfundimit të çdo tre mujori. Ligji është shumë i qartë vazhdimisht po na imponohet një far urgjencë. Rregullorja thotë se materialet duhet të vijnë tri ditë ma herët rrjedhimisht për të ardhë të mërkurën duhet të vij të enjten. E kemi bërë dy herë këtë urgjencë nuk do ta bëjmë më”- tha Muja.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini pranoi që ka pasur vonesë në dërgimin e projeksionit buxhetor në Kuvendin e Kosovës.

“Së pari pajtohemi që ka ardh pak vonë sepse ne si Bord kemi kërku disa sqarime shtesë nga menaxhmenti sepse së pari ne duhet të kemi detajet. Kjo është vonesa më e madhe prej që jemi në mandat. Do të kujdesemi që ta marrim sa më parë raportin dhe që te komisioni të vij para datës 15”- tha Boletini.