Muhaxheri e quan spektakël në kohë fushate arrestimin e zyrtarëve në Pejë

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka mbajtur një konferencë për media pas aksionit të sotëm të njësitit të Krimeve Ekonomike ku në mesin e të arrestuarve pati zyrtarë të kësaj Komune.

Muhaxheri ka thënë se janë arrestu tre zyrtarë të Komunës, përkatësisht drejtori dhe një zyrtar i Urbanizmit dhe një zyrtar i Inspektoratit komunal.

“Bëhet fjalë për tri lëndë për të cilat ne para dy javë kemi marrë konfirmuar se kanë pushuar hetimet. Nuk e di pse ka nevojë që në kohë fushate këta zyrtarë të arrestohen në mënyrë spektakulare kur të gjithë kanë qenë të qasshëm për drejtësinë”, ka thënë ai.

Teksa përmendi edhe faktin se për tri vite më radhë ka qenë objekt i hetimit vetë ai, por në fund Gjykata Supreme kishte vërtetuar pafajësinë e tij.

Ndërsa ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që t’i lirojë zyrtarët për shkak se “dy nga të arrestuarit janë me sëmundje kronike”.

KALLXO.com raportoi se Policia e Kosovës ka konfiskuar kompjuterë, telefona, dosje të lëndëve dhe dokumente tjera që lidhen me ndërtime pa leje ose mbindërtime pa leje në aksionin e gjerë që u zhvillua në rajonin e Pejës.

Përveç asaj, KALLXO.com raportoi se numri i zyrtarëve të arrestuar nga ky aksion ka arritur në 10.

Në mesin e tyre janë Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë, Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marleku, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës.

Në këtë aksion njoftohet janë të angazhuar pesë prokurorë dhe vet kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.