Muhaxheri: Brenga më e madhe e Pejës, hidrocentrali në Lumbardh

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se brenga kryesore e banorëve të kësaj komune është tendenca e ndërtimit të një hidrocentrali në Lumbardh.

“Ata që e kanë varrosë Lumbardhin e Deçanit dhe kanë përfitime të mëdha prej kësaj varrosjeje nuk kanë me heq dorë lehtë prej Lumbardhit të Pejës, kanë me bë përpjekje që në momentin e parë të përshtatshëm me u mundu me e realizu interesat e tyre vetanake”, tha Muhaxheri.

Ai shtoi se janë duke u përballur me kompaninë që është duke tentuar të ndërtojë këtë hidrocentral.

“Ne po përballemi me kompani që nuk e respektojnë ligjin, që kanë kry punë jashtëzakonisht të këqija në Lumbardhin e Deçanit. Ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë, asambleja komunale ka nxjerrë vendim për anulimin e të gjitha procedurat”, tha kryetari i Pejës në DebatPërnime, ku është duke u diskutuar për mbrojtjen e mjedisit të organizuar në qytetin e Pejës.

Rreth rrugës, e cila po ndërtohet kundërligjshëm me ligjin për parqet kombëtare, Muhaxheri shtoi se komuna është duke provuar ta ndalojë tendencën e shpërnguljes së banorëve nga zonat e thella të Rugovës.

“Ajo rrugë, e cila po ndërtohet në park kombëtar është për zhvillimin e vendit, ne duhet ta ruajmë natyrën por natyra pa njerëz nuk ka vlerë, ka tendencë të madhe të shpërnguljes dhe ne jemi duke u munduar që me disa projekte të krijojmë kushte për zhvillim të qëndrueshëm jemi duke zhvilluar projekte të krijojmë kushte për zhvillim të qëndrueshëm duke kriiju rrugë”, tha Muhaxheri.

Kreu i Pejës po ashtu u zotua se mbrotja e ambientit tashmë është prioritet për të.

“Me planin zhvillimor që jemi duke e bërë tash është prioritet mbrojta e ambientit, është ndërtimi i impiantit për pastrimin e ujërave të zeza në disa fshate. Ka me pasë investime të mëdha në mbrojtje të ambientit”, tha Muhaxheri.