Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muhaxheri akuzon rivalët politikë për "presion ndaj Prokurorisë" rreth projektit për ujësjellës për fshatrat e Lugut të Baranit

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se eksponentë të partive politike rivale po bëjnë presion mbi prokurorinë, sipas tij, me qëllim pengimin e përfundimit të projektit të ujësjellësit për 18 fshatra të kësaj komune.

Muhaxheri, i cili vjen nga radhët e LDK-së, ka thënë se ndërhyrjet politike për të ndalur këtë investim thelbësor janë të papranueshme dhe shkelin të drejtat e banorëve për qasje në ujë të pijshëm.

“Të dashur qytetarë të Lugut të Baranit, Lozhanit, Grabocit dhe të Dobërdolit! Dëshiroj t’ju informoj se eksponentë të partive politike rivale po bëjnë presion të paprecedent mbi prokurorinë, me qëllim pengimin e përfundimit të projektit të ujësjellësit për 18 fshatrat tuaja, me rreth 20 mijë banorë. Ky projekt është jetik për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të zonës në të cilën jetoni ju”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se si drejtues të Komunës së Pejës janë të përkushtuar në realizimin e këtij projekti.

Lidhur me këtë çështje, në shkurt të vitit 2024 KALLXO.com ka publikuar hulumtimin “Bjeshka e ‘pambrojtur’”.

KALLXO.com ka raportuar se qysh në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” është hapur rrugë e re pa kurrfarë leje.

Bjeshka është thyer nga Komuna e Pejës në kuadër të një projekti që ka për qëllim të shtrijë ujësjellës në zonën e mbrojtur për t’u siguruar ujë banorëve të Lugut të Baranit që gjenden 25-30 km larg këtij kanioni.

Krejt ky intervenim në zonën e mbrojtur është bërë para syve të zyrtarëve të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, organ që i ka 36 punëtorë, e të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen e bjeshkëve. Ky intervenim është bërë po ashtu para syve të zyrtarëve të “Hdrodrinit”, detyra e të cilëve është të propozojnë zgjidhje hidro-teknike që nuk e dëmtojnë zonën e mbrojtur.

Dy ditë pas vizitës së ekipit të Kallxo.com në kanionin e Shushicës, drejtuesit e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemura”, lajmëruan se më 08.02.2024 kanë deponuar kallëzim penal për këtë rrugë.

Por, në kallëzim penal Parku Kombëtar nuk e akuzon Komunën e Pejës që e ka porositur këtë projekt por e akuzon punëkryesin, Arsim Shehun.

KALLXO.com ka biseduar me Arsim Shehun, pronar në kompaninë ‘V Shehu’, i cili e shpjegoi se përgjegjës për marrjen e lejeve mjedisore, ujore dhe ndërtimore janë komuna e Pejës, jo punëkryesi.

“Ata (Parku Kombëtar) munden me bo gjithçka, shyqyr këtu në Kosovë shteti ka nisë me u bo, ka shtet, ka ligj, që për çdo njeri që ekziston është e qartë që kompanisë ‘Shehu’ i ka thënë dikush me shku atje (në zonë të mbrojtur)”- shpjegon Shehu.

“Nëse unë do kisha shku atje krye në vete mund të më akuzojnë, por nëse unë jam i urdhëruar nga Komuna se i kam pasë tre mbikëqyrës (komunalë) për vizitë çdo ditë, si mund të më akuzojnë mua si kompani? Qysh kanë me m’akuzu mua kur unë jam kompani private ”-  tha Shehu.

Gjatë debatit me Gazmend Muhaxherin që u zhvillua në Prishtinë me 15.02.2024 ai tha “Po shihet që (Kallxo.com) i ke tutë në atë sulmin e parë edhe atë drejtorin e Parkut Kombëtar e ke nxanë në befasi se aty ku ke s’u kanë park. D.m.th. pjesa ku e ke incizu është pjesë e fshatit Dushkajë, tek më vonë ma andej nis Parku Nacional”-  tha Muhaxheri.

Më 15.02.2024 në debat, Muhaxheri e konfirmoi që Komuna e Pejës ende s’ka aplikuar në Ministri të Mjedisit as për pëlqim mjedior e as për leje ujore që janë dy leje që obligohen t’i kenë ndërtuesit në zona të mbrojtura.

“Nuk e di nuk ka pasë leje mjedisore, aplikojmë edhe e marrim edhe lejen mjedisore. Për këtë projekt nuk e kam ditë që është zonë e mbrojtur, kam mendu që nuk është Park Nacional, edhe s’ish dashtë me kanë sepse Parku Nacional siç është diskutuar është dashur të ketë 750 metra lartësi” – ka thënë Muhaxheri.

Debati për t’i sjellë ujin 15 fshatrave të Lugut të Baranit është zhvilluar në 15 vitet e fundit prej kohës që kryetar i Komunës ka qenë Ali Berisha më 2009. Ai e kishte filluar projektin për furnizimin prej Radacit, ku është burimi i Drinit të Bardhë, por i humbi zgjedhjet pa përfunduar projektin.

Pas tij, Gazmend Muhaxheri, kryetar prej vitit 2013, ka vendosur që uji banorëve të Lugut të Baranit do t’u sillet jo përmes Drinit të Bardhë, por përmes lumit të Shushicës që gjendet në zonën e mbrojtur.