Muharremaj: I infektuari i fundit nga Semetishti ka kontaktuar me qytetarë edhe nga Suhareka, Vraniqi dhe Dobërdelani

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se i infektuari i fundit nga Semetishti ka kontaktuar me qytetarë nga fshati i tij e po ashtu edhe me të tjerë nga Suhareka, Vraniqi dhe Dobërdelani.

“Merreni situatën serioze, sepse me moskujdesin tuaj mund të shkaktoni dëme të mëdha. Këto informacione po i ndaj me ju ngase duhet ta kemi kujdesin e duhur dhe t’i respektoni rregullat. Nuk kemi nevojë për panikë, por ju lutem qëndroni në shtëpi”, ka shkruar Muharremaj në “Facebook”.

Komuna e Suharekës e ka konfirmuar mbrëmë edhe një rast me coronavirus, duke e dërguar numrin e të prekurve në 5. Kjo komunë është futur në karantinë, derisa dy fshatrat: Semetisht dhe Bllacë shpallen vatra të përhapjes së infeksionit.

Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka njoftuar qytetarët e kësaj komune se mund të kthehen në shtëpitë e tyre deri në ora 17:00 të ditës së sotme.

Pas kësaj ore do të ndalohen hyrje-daljet për të gjithë personat përveç atyre me autorizim të veçantë.

Numri i të prekurve me coronavirus në Kosovë ka arritur në 283, prej tyre 58 janë shëruar dhe 7 kanë vdekur.