Muhamet Mustafa kërkon të lirohet nga detyra si këshilltar i Hotit, angazhohet si ekspert për ekonomi

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Muhamet Mustafa ishte emëruar nga kryeministrit Avdullah Hoti si këshilltar i tij politik për ekonomi.

Por në një prononcim për KALLXO.com,Mustafa ka thënë se ka kërkuar të lirohet nga detyra si i emëruar politik, pasi sipas tij ka ndodhur një gabim nga kabineti i kryeministrit.

Ai ka shtuar se në negociatat me Serbinë ka pranuar të përfshihet si ekspert i ekonomisë.

“Po, unë jam liruar (nga detyra e këshilltarit) me kërkesë timen sepse është lëshuar gabimisht një vendim. Unë kam biseduar me kryeministrin, ai më ka ofruar që të jem këshilltar politik i tij, por unë i kam thënë që nuk pranoj të kem pozicion i të emëruarit politik për arsye se dua ekskluzivisht të punoj në Riinvest”, theksoi ai.

“Çështja ka qenë që unë të angazhohem në këto negociatat si udhëheqës i grupit të ekspertëve për ekonomi dhe i kamë thënë në cilësinë e ekspertit kur të krijohet ekipi i ekspertëve, por pa emërim politik. Ata e kanë bërë një gabim, e kanë lëshuar dhe unë kam kërkuar të anulohet ai vendim dhe ata e kanë anuluar”, shtoi ai për KALLXO.com.

Mustafa i cili vite më parë ka qenë deputet i LDK-së, ka theksuar se në vitin 2017 ka deklaruar se tërhiqet nga puna në institucione politike.

“E kur më kanë thënë që është puna për negociata me Serbinë unë atë s’mundem me refuzu, por e refuzoj si i emëruar politik. Por në cilësinë e ekspertit do të punoj në atë punë. A më paguajnë apo jo a qysh bëhet as një bisedë se kemi bërë, ajo është çështje krejt tjetër”, theksoi ai për KALLXO.com.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin e Zyrës për Media në Qeveri, Xhavit Beqiri, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.