Ilustrim

Muaji i parë i 2020-tës nisë me rritje çmimesh prej 1.5%

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thonë se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,8 përqind në muajin janar 2020 ndërsa shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2020 me muajin janar 2019 ishte 1,5 përqind.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,8% në muajin janar 2020 krahasuar me muajin dhjetor 2019.

ASK tregon produktet ku çmimet shënuan rritje

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemët (7,7%), perimet (16,6%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (1,5%), shërbimet ambulatore (3,2%), shërbimet hoteliere (1,4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,9 për qind në IHÇK-it. “, thotë ASK.

Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i pijeve alkoolike -2.2 përqind me një ndikim të këtij nëngrupi prej -0.1 për qind në IHÇK-it. Si dhe te disa nëngrupe, çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera kryesisht mbetën të pandryshuara pa ndonjë ndikim në IHÇK-it.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,5 përqin në muajin janar 2020 krahasuar me muajin janar 2019.

Tutje thuhet se kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat 2,7 për qind, mishi 2,6 për qind, pemët 12,1 përqind, produkte të ndryshme ushqimore, kripëra, erëza etj. 3,4 përqind, kafja, çaji dhe kakao 10,6 përqind, ujë, pije joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 0,8 përqind, mobilje dhe orendi, qilimat dhe mbulesa dyshemeje të tjera 1,5 përqind, pajisje shtëpiake 2,3 përqind, enët, takëmet dhe mjetet e ndryshme të kuzhinës 3,5 përqind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 2,2 përqind, produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje 2,8 përqind, shërbimet ambulatore 5,6 përqind, blerja e automjeteve 2,0 përqind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal 2,7 përqind -(ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbimet hoteliere 2,3 përqind, shërbimet e akomodimit 6,0 përqind, gjërat personale 2,9 përqind, sigurimet 19,3 përqind – (ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,9 për qind në IHÇK-it.

Perimet dhe lëndët djegëse kontribuuan në neutralizimin e rritjes së çmimeve tek produktet tjera

“Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: perimet (-8,7%), energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1,9%) – (rënie e çmimeve të druve për ngrohje), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,4 për qind në IHÇK-it. Si dhe te disa nëngrupe, çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera kryesisht mbetën të pandryshuara pa ndonjë ndikim në IHÇK-it.”, bën të ditur komunikata.

Këto të dhëna u bënë të ditura me publikimin e indeksit “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Janar 2020”, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.