Ministria e Tregtise dhe Industrise. Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla

MTI largon nga puna deri në përfundim të hetimeve zyrtarin e dyshuar për keqpërdorim të detyrës

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka njoftuar se kanë marrë masa disiplinore për ta larguar nga shërbimi civil deri në zbardhjen e plotë të rastit, zyrtarin i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sot në media u raportua se zyrtari i MTI-së, F. K., dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë procesit të shpërndarjes së licencave të disa kompanive private, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të derivateve të naftës.

Sipas komunikatës për media, bëhet e ditur se MTI rastin e ka proceduar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit.

“Përveç procedimit të lëndës në organet e lartpërmendura, zyrtarit në fjalë i është shqiptuar masa disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, për të mos e penguar procesin e hetimeve të organeve kompetente deri në zbardhjen e plotë të rastit. MTI kërkon nga organet kompetente që ta hetojnë dhe ta ndriçojnë rastin sa më shpejtë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë që udhëhiqet nga Vesel Krasniqi i NISMA-s.