Ilustrim

 MSh u ndalon qendrave tregtare dhe super-marketeve organizimin e 'Black Friday'

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Qendrave Tregtare dhe Super-marketeve nuk do t’u lejohet aktiviteti i “Black Friday”.

Sipas MSh, grumbullimi i njerëzve në këtë kohë të pandemisë është i ndaluar edhe me vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë për masa të reja për mbrojtjen nga COVID-19, ndalohet grumbullimi i më shumë se pesë personave në hapësira publike, prandaj obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

“MSh kërkon nga organet e rendit  dhe inspektoratet që të jenë në krye të detyrës dhe kudo që hasin në organizime të tilla, të marrin masa në bazë të vendimeve në fuqi. Qytetarëve u bëjmë thirrje ë t’i shmangën grumbullimet e panevojshme dhe pjesëmarrjen në aktivitete të ndaluara në interes të ruajtjes së shëndetit të tyre. Masat dhe vendimet anti Covid duhet të respektohen nga çdo kush dhe në çdo kohë. Kudo që haset në shkelje të masave, organet kompetente të ndërmarrin masa”, thuhet në komunikatën e MSh.