Uji

MSh: Rezultatet e analizave fiziko-kimike të ujit në Deçan, brenda kufijve

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se analizat fiziko-kimike të ujit në disa fshatra të Deçanit janë brenda kufijve.

Sipas njoftimit të ministrisë, tashmë janë duke u pritur edhe analizat bakteriologjike.

Këto analiza janë kryer pas shqetësimeve të banorëve të fshatrave Carrabreg, Prilep, Llukë e ultë, Prapaqan dhe Isniq të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas përdorimit të këtij uji për pije.

“Zyrtarët e Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Pejë kanë konfirmuar se janë marrë mostrat e ujit të këtyre fshatrave, ku sipas tyre në rezultatet e analizave fiziko-kimike, janë brenda kufijve, porse priten edhe rezultatet e analizave bakteriologjike. Kjo vizitë u bë për shkak të shqetësimeve se në disa fshatra të komunës së Deçanit uji është turbulluar si pasojë e të reshurave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Jo më larg se një vit më parë, komuna e Deçanit kishte shpallur gjendje emergjente te shëndetit publik për shkak të helmimit të rreth 1,500 qytetarëve të fshatrave të komunës së Deçanit që dyshohet se ishte nga uji.

Sipas testimeve të fundit të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik doli që një pjesë e ujit të pijes nga ujësjellësi “Hidrodrini” është i kontaminuar me baktere.

Deçani furnizohet me ujë nga ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”. “Hidrodrini” furnizon me ujë edhe komunat: Pejë, Istog, Klinë dhe Junik.

Prokuroria Themelore në Pejë në muajin shkurt të këtij viti kishte ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë së ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, në lidhje me dyshimet për helmimet që kanë ndodhur nga uji, vitin e kaluar në Deçan.

“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëje me helmimet e 1,500 qytetarëve të Komunës së Deçanit dhe fshatrave përreth ngritet aktakuzë kundër dy zyrtarëve të ‘Hidororini’ në Pejë, drejtorit të departamentit përkatës për vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mosevitimi i rrezikut”, kishte thënë prokurori Dorjan Juniku në një konferencë për media.

Shqetësime në Deçan pas turbullimit të ujit, IKSHPK teston disa mostra