Klinika Infektive QKUK - FOTO KALLXO - Mars 2020

MSh: Nuk ka asnjë vendim për të ndalur testimet e rasteve të kontakteve për COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka mohuar raportimet e disa mediave online se testet për COVID-19 nuk do të bëhen edhe për rastet e kontakteve të të infektuarve.

Sipas ministrisë, nuk asnjë vendim të tillë deri më tani.

“Ministria e Shëndetësisë i hedh poshtë si të pavërteta shkrimet në disa portale, sipas të cilave, “prej sot në Kosovë është marrë vendimi që për një kohë të pacaktuar të ndalë testimin për COVID-19 të rasteve të kontaktit” (SARS-COV-2)””, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ky lajm nuk është i vërtetë, sepse nuk ka asnjë vendim që përcakton diçka të tillë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë”, shpjegon tutje ministria.

Kjo ministri ka shpjeguar se në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë duke i bërë disa përditësime të strategjisë së testimit dhe ri-testimit për COVID-19. Sipas ministrisë, këto testime do të bëhen sipas disa kritereve.

“Pacientët me infeksion akut të traktit respirator (fillimi i papritur i sëmundjes me të paktën njërin këto shenja e simptoma: kollë, ethe, frymë-zënie) ose shfaqje e papritur e anosmisë (humbje e shqisës së nuhatjes), ageusia (shijes) ose imazheri radiologjike që tregojnë lezione kompatibile me COVID-19”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas ministrisë, janë edhe dy kritere tjera që duhet të plotësohen.

“Histori udhëtimi ose vendbanimi në një vend/zonë, ku ka pasur vatra të rasteve ose përhapje në komunitet gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave; Kontakt i ngushtë me rast të konfirmuar ose të mundshëm COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave;

Person që kërkon hospitalizim;  Personi banor ose anëtar i stafit, në një institucion rezidencial për personat e ndjeshëm, në 14 ditët para fillimit të simptomave”, thuhet në njoftim.

Prandaj, sipas MSh-së, duke u nisur nga kriteret e lartpërmendura rekomandohen për testim:

Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe repartet e dedikuara për pacient me COVID-19;

Pacientët në repartet e Pulmologjisë dhe Kujdesit Parësor Shëndetësor me infeksione të rënda respiratore;

Personeli shëndetësor me shenja dhe simptoma të infeksionit si dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS CoV-2;

Kontaktet e afërta të personit COVID-19 pozitiv, të cilët kanë shenja dhe simptoma të COVID-19;

Personat e moshuar dhe personat me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlçisë, hipertension, diabet dhe gjendje imunokompromituese) të cilët kanë shenja të infeksionit akut respirator;

Të gjitha rastet e dyshuara që kanë shenja klinike në SARI në komunitet apo institucionet e mbyllura (shkolla, spitale, shtëpi të pleqve, burgje);

Shtetasit e Kosovës të cilët udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor duhet të kenë dokumentacionin mjekësor valid përcjellës nëse kërkohet testimi nga shteti në të cilin udhëtojnë

Nuk testohen personat asimptomatikë, por udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë.

Rekomandimet e lartpërmendura do të shqyrtohen nga Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve ngjitëse për t’u bërë pjesë e Strategjisë së përditësuar të testimit dhe ri-testimit për Covid-19.

Duke vlerësuar rëndësinë e informimit korrekt dhe rolin e mediave gjatë pandemisë Covid-19, MSh u bën thirrje mediave që informatat rreth Covid-19 të konfirmohen para se të plasohen në institucionet kompetente për menaxhimin e situatës me Covid-19 sië është MSH dhe IKSHPK.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!