Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MSH njofton për kategoritë e reja që mund të marrin vaksinën kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga sot mund të vaksinohen edhe qytetarët e moshës mbi 40 vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj kategorie që të aplikojnë për marrjen e vaksinës nëpërmjet platformës e-Kosova ku caktohen terminët e lira.

“Qytetarët që aplikojnë përmes kësaj platforme duhet të kenë parasysh se me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit në vendbanimin përkatës, duhet të jenë të pajisur me dëshmi të kategorisë së cilës i përkasin”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Deri më tani kategoritë që mund të vaksinohen janë personat me sëmundje kronike pa dallime moshe, punëtorët shëndetësorë, mësimdhënësit, pjesëtarët e Policisë dhe FSK-së, pjesëtarët e AKI-së, zjarrfikësit, pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës si dhe pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Poashtu, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se mund të vaksinohen edhe qytetarët që do të udhëtojnë jashtë vendit e që ambasadat ua kërkojnë vaksinimin, zyrtarët publik, zyrtarët doganor, gazetarët, punëtoret e gastronomisë, punëtorët e aeroportit “Adem Jashari” e të tjerë.