Ilustrim: Një fëmijë i prekur nga fruthi - Foto: Rtv21

MSh: Në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara të fruthit

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u kanë bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit.

Kjo pas regjistrimit të rasteve me fruth në shtete të ndryshme të botës dhe rajonit.

MSH ka thënë se në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara të fruthit.

“Vaksinimi i rregullt bëhet çdo ditë në njësitë e vaksinimit në çdo komunë”- bënë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Kjo ministri përmes një njoftimi ka dhënë informata për këtë sëmundjen e fruthit.

Këto janë informatat e shpërndara nga Ministria e Shëndetësisë për fruthin:

 Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.

Simptomat

Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.

Komplikimet

Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët në moshën nën 5 vjet ose tek të rriturit mbi 20 vjet. Si komplikime më të rënda janë: encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), verbërimi, diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia.

Kush është i rrezikuar?

Fëmijët e vegjël të pa vaksinuar rrezikohen më së shumti nga fruthi dhe komplikimet e tij, madje edhe nga vdekja si pasojë e fruthit.

 Trajtimi

Nuk ekziston trajtim i posaçëm antiviral kundër virusit të fruthit. Prandaj, mbrojtja më e mirë është vaksinimi që në fëmijëri kundër kësaj sëmundjeje.

Parandalimi

Vaksina kundër fruthit është mënyrë më e mirë për Parandalim dhe kjo vaksinë është e sigurt, efikase dhe në vendin tonë jepet falas. Përdoret tashmë e 50 vjet.

Vaksinimi në Kosovë kundër fruthit, fillon tek fëmijët në momentin që fëmija mbush 12 muaj dhe jepet si dozë e kombinuar me vaksinën kundër Shytave (Parotitit) dhe Rubellës.

Që të sigurohet imunitet dhe që të parandalohet paraqitja e epidemive, rekomandohet marrja e dy dozave të vaksinës. Doza e dytë e kësaj vaksine (rivaksinimi) të kombinuar jepet tek fëmijët e moshës 6-7 vjeçe.

Vaksina ka efekt të lartë që shkon deri në mbi 95% mbrojtje për të vaksinuarit.