MSh kërkon falje për gabimin e bërë në raportimin e të dhënave për vaksinimin e qytetarëve

Gjatë raportimit ditor rreth numrit të administrimit të dozave të vaksinave kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka bërë një gabim teknik. Në raportin 24 orësh, janë llogaritur shifrat e dy ditëve të fundit, andaj numri i dozave ka rezultuar më i lartë nga sa është në të vërtetë.

Për këtë gabim MSh ka kërkuar falje publike.

“Në raportin e sotëm, janë llogaritur shifrat e dy ditëve të fundit, andaj rrjedhimisht edhe numri i dozave të administruara në raport ka rezultuar të prezantohet më i lartë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

“Duke kërkuar mirëkuptim dhe shprehur falënderim për kujdesin e treguar nga publiku dhe bashkëpunimin në evitimin e lëshimeve të tilla, ju lusim të gjeni raportin e korrektuar me të dhënat nga vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë”, thuhet në njoftim.

MSh ka bërë të ditur se brenda 24 orëve në Kosovë janë vaksinuar 9 mijë e 608 qytetarë, ndërsa nga 29 marsi deri më tani janë 343 mijë e 333 qytetarë të vaksinuar prej tyre 102 mijë e 210 edhe me dozën e dytë të vaksinës.