MSh-ja del me udhërrëfyes klinik për menaxhimin dhe trajtimin e COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se është aprovuar udhërrëfyesi klinik “Menaxhimi dhe trajtimi i COVID-19”.

Sipas ministrit, ky udhërrëfyes  ka për qëllim trajtimin mbështetës dhe antiviral të personave të dyshimtë, të konfirmuar si dhe kategorive të pacientëve të spitalizuar me COVID-19.

“Arsyeshmëria e rëndësishme klinike e këtij Udhërrëfyesi Klinik ka për qëllim menaxhimin e trajtimit të bazuar në dëshmi në mënyrë që të minimizohen dhe shmangen efektet nga trajtimet eventuale joadekuate si dhe të bëhet unifikimi i trajtimit gjatë menaxhimit të pacientëve me këtë patologji”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Info për UK ‘’MENAXHIMI DHE TRAJTIMI I COVID-19 ‘’ Udhërrëfyesi klinik (UK) ‘’Menaxhimi dhe trajtimi i…

Publiée par Armend Zemaj sur Mercredi 12 août 2020

Ministri tutje ka njoftuar se  të gjitha institucionet shëndetësore të përcaktuara për trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe atyre të konfirmuar me COVID-19, duhet të sigurojnë burime të mjaftueshme njerëzore si mjekë, infermierë, laborantë dhe staf tjetër mbështetës për zbatimin e këtij udhërrëfyesi.

“MSh duhet të siguroj mjete mbrojtëse personale për profesionistët shëndetësor dhe stafin tjetër mbështetës që ofrojnë kujdes shëndetësor për pacientët në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor”, thuhet në publikimin e tij.

Zemaj ka kërkuar  që të gjithë profesionistët shëndetësor të ofrojnë shërbimet e tyre duke respektuar rekomandimet që dalin nga ky udhërrëfyes.

Udhërrëfyesin e MSH-së, mund ta gjeni në këtë link.

Ministria e Shëndetësisë më herët kishte publikuar edhe manualin lidhur me menaxhimin e pandemisë.

Kosova aktualisht po përballet me gjendje të rëndë për shkak të pandemisë COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive është 10 mijë e 590 raste nga 41 mijë e 615 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 354 raste të vdekjes.