Foto: REL/AFP

MSh: Grumbullimet e qytetarëve në parqe rrezikojnë përhapjen e coronavirusit

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, është shprehur i shqetësuar në lidhje me lëvizjet e shumta të qytetarëve, në kohën kur në vend është shpallur gjendje emergjente, për shkak të coronavirusit.

“IKShPK shpreh shqetësimin për lëvizjet e shumta dhe grumbullime të qytetarëve në qytet, parqe dhe vende rekreative të hapura, të cilat mund të rrezikojnë shëndetin e popullatës dhe përhapjen e COVID-19, e cila aktualisht është e lokalizuar”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, nëse qytetarët nuk u përmbahen rekomandimeve të MSh-së mund të ketë rrezikë të përhapjes së virusit pandemik.

“Por, nese nuk u përmbahemi masave të rekomanduara më herët nga MSh dhe IKSHPK për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikojmë të kemi përhapje komunitare. TA PARANDALOJMË KËTË”, ka shtuar në fund Hoti.

Në Kosovë që nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 20 persona të prekur me coronavirus.

Ndërsa në botë ky numër ka arritur në 219,565 persona. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 84,006 persona janë shëruar dhe 8,941 kanë vdekur.