MSH dhe IKSHPK me këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ripërsëritur disa këshilla me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes së qytetarëve nga temperaturat e larta që priten gjatë kësaj jave.

Përmes një komunikate, IKShPK thotë se gjatë temperaturave të larta, për shkak të vështirësive të trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme dhe për të eliminuar nxehtësinë e grumbulluar, rritet rreziku i rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditja.

Temperaturat e larta, sipas IKShPK-së mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, sidomos të grupeve të cenueshme.

“Nxehtësia ekstreme mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore të personave që kanë sëmundje kronike (kardiovaskulare, mendore, respiratore dhe sëmundje të lidhura me diabetin)”-thuhet në komunikatë.

Masat e rekomanduara për parandalim dhe mbrojtje nga temperaturat e larta nga Insituti janë:

Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme

Gjatë ditës kur temperaturat e jashtme janë më të larta se ato të brendshme, mbyllni dritaret dhe mbulojini ato me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit të hyjnë drejtpërdrejt brenda 🪟.

-Fikni sa më shumë pajisje elektrike

-Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperaturat janë nën 40 ˚C

-Mbajeni trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar

-Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme, kryesisht nga pambuku..

-Bëni dush ose banjë të freskëta

-Lagni lëkurën tuaj duke përdorur një leckë të lagur, spërkatje ose veshje të lehta të lagura.

-Pini ujë rregullisht (1 gotë ujë në orë dhe të paktën 2-3 litra në ditë).

-Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (11:00-17:00), duke kërkuar hije ose duke qëndruar brenda.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë(MSH) kërkon nga qytetarët që t’i ndjekin këto masa në mënyrë që të mbrohet shëndeti i tyre.

Në varësi të zhvillimit të situatës meteorologjike, nëse është e nevojshme, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa për kufizimin e orarit të punës.

Çfarë të bëni në rast të emergjencave?

Njihni shenjat e sëmundjes nga nxehtësia marramendje, dhimbje koke, dobësi

-Telefononi për ndihmë

– Vendosni personin në hije, ofroni ujë dhe freskim të trupit