Vaksina ruse kundër coronavirusit Sputnik -V - Foto: REL/Reuters

MSh demanton njoftimet e mediave: S'kemi marrë konfirmim për ardhjen e vaksinës anti-COVID, nuk dihet data kur do të vijnë

Disa media në Kosovë kanë raportuar sonte se Ministria e Shëndetësisë ka marrë konfirmim për vaksinën kundër COVID-19 dhe se javën e ardhshme do të arrijnë vaksinat në vendin tonë.

KALLXO.com ka kontaktuar Faik Hotin zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili e ka mohuar ardhjen e vaksinave.

“Atë se kemi thënë ne. Qysh vijnë vaksinat pa pas konfirmim e marrëveshje”, tha ai.

Zëdhënësi, gjithashtu potencoi se mediave u kanë thënë se GAVI ka informuar MSh-në se vaksinat e para AstraZeneca në kontingjent prej 24 mijë doza do të arrijnë shumë shpejtë.

Hoti thotë se ministria vetëm i ka informuar mediat për pranimin e aplikimit të Kosovës për vaksinë.

“MSh sipas procedurave të aplikimit të përgatitur nga COVAX, ka dorëzuar aplikacionin me të gjitha dokumentet e kërkuara të bashkangjitura në mënyrë elektronike në këtë mekanizëm dhe COVAX, i ka konfirmuar MSh-së se është pranuar dhe miratuar aplikimi i saj”, thotë ai.

Kosova ende mbetet i vetmi vend në rajon i pafurnizuar me vaksinën kundër coronavirus.