MSh aprovon dhënien e dozës së tretë të vaksinës për personat mbi 12 vjeç

Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 edhe për grupmoshën mbi 12-vjeçare, për personat të cilët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 së paku pesë muaj më parë.

Sipas komunikatës së Ministrisë, deri tani vaksinimi me dozën e tretë ka qenë i lejuar për personat e moshës mbi 18-vjecare, derisa grupmosha 12-17 vjeç ka mundur të vaksinohet vetëm me dozën e parë dhe të dytë.

“Vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës”, thekson Ministria.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa asnjë rezervë, sepse sipas tyre, ditëve të fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me COVID-19, “ndërsa vaksinimi është dëshmuar të jetë mënyra më e mirë dhe më efikase për të parandaluar infeksionin nga COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID-19”.