Mrekullia në Itali: 104-vjeçarja u mbijetoi dy luftërave botërore, tash edhe coronavirusit

U mbijetoi dy luftërave botërore. Tash 104-vjeçare, Ada Zanusso i mbijetoi edhe coronavirusit.

Në këtë moshë Ada (shtetase italiane) nga qyteti Lessona, bëhet personi më i vjetër që e mposht virusin COVID-19, raporton la Repubblica.

E lindur në vitin 1916  ajo jeton në një shtëpi të pleqve. Javëve të fundit kanë vdekur më shumë se 20 banorë të kësaj shtëpie nga pandemia e coronavirusit, duke e shndërruar në rezidencën më vdekjeprurëse në rajon.

Me 17 mars asaj iu kumtua lajmi se ishte pozitive me coronavirus, ndërsa gjatë përballjes me pandeminë kishte kaluar një javë të vështirë, njoftojnë mjekët që kishin trajtuar zonjën 104 vjeçare.

“Ajo tashmë del nga shtrati dhe ulet në karrigen e saj“, thotë mjekja Carla Furno Marchese duke treguar se pandemia e coronavirusit nuk i ka ndikuar në shëndetin mendor 104 vjeçares apo në mendimet e saj të qarta se çfarë po ndodh.

“Shërimi i saj është një gëzim i madh dhe një shpërblim për të gjithë ata që janë kujdesur për 104 vjeçarën”, thonë nga stafi mjekësor në spitalin ku u shërua Ada Zanusso.