MPJD: Trupi i raportuar si i vrarë në Serbi ka arritur në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë.

MPJD tha se pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij.

Dje, kjo ministri konfirmoi se i vrari nga policia serbe më 19.07.2024 është Faton Hajrizi.

Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje dje, më 08.08.2024 për tërheqjen e trupit të pajetë, tha Leutrim Sahiti, këshilltar i ministres Donika Gërvalla për Kallxo.com

“Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë” – tha ai.

Sahiti tha se rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 06.07.2024, ku po vuante një dënim me burgim.

Avokati Arianit Koci ka qenë në Serbi për të konfirmuar nëse i vrari është Faton Hajrizi dhe për të parë mundësinë e kthimit të trupit të tij në Kosovë.

“E konfirmoj. Trupin e pajetë e pashë. Tash mbetet me e konfirmu edhe ekspertët tanë“ – tha avokati Koci për KALLXO.com, më 08.08.2024.

Më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shenjat e gishtërinjve që janë pranuar nga autoritetet në Serbi janë përputhur me ato të Faton Hajrizit.

Hajrizi dyshohet se u vra në Serbi një ditë pas një incidenti gjatë të cilit ishte vrarë një polic serb dhe ishte plagosur një tjetër.