Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MPJD thirrje qytetarëve të shmangin hyrje-daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo për shkak të protestave të paralajmëruara nga serbët që mund të rezultojnë me bllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.

“Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftim.

MPJD  u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.