Faton Hajrizi

MPJD: Shenjat e gishtërinjve të krahasuara konfirmojnë se personi i vrarë në Serbi është Faton Hajrizi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se Faton Hajrizi është qytetari i cili është vrarë nga Policia serbe në vendin fqinj, Serbi.

Në një njoftim për media, MPJD tha se janë testuar disa shenja të gishtërinjve të cilat kanë rezultuar se janë të Faton Hajrizit.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi” – tha MPJD.

“Të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi” – shtohet tutje në njoftim.

Po ashtu Ministria ka lutur opinionin publik që të gjitha lajmet nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre dhe se MPJD do ta mbajë publikun të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024.

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona që dyshohet se e kishin ndihmuar Faton Hajrizin të arratisej nga burgu.

Faton Hajrizi i cili kërkohej nga autoritetet e Serbisë për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri, është vrarë në fshatin Trbushnicë, në pjesën perëndimore të Serbisë.

Më 19.07.2024, mediumi serb, N1info ka raportuar se ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Hajrizin e ka raportuar një vendas nga i cili i ka kërkuar ujë. Sipas Daçiq, ai nuk ka pasur “plan të dorëzohet dhe ka qëlluar nëntë të shtëna në drejtim të policisë që e ka rrethuar”.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kishte thënë se është duke e kërkuar intensivisht Faton Hajrizin, si i dyshuar për incidentin në Lloznicë, në të cilin një zyrtar policor vdiq e një tjetër u plagos më 18.07.2024, në pjesën perëndimore të Serbisë.

Kjo Ministri publikoi fotografinë e Hajrizit, më 19.07.2024, dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndanin informatat me Policinë.

Më 18.07.2024 autoritetet e Serbisë pretendonin se në vendin ku u vra polici, Nikolla Krsmanoviq, ishte gjetur pasaporta e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit.

Ndërkaq, Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024, sipas një njoftimi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Kjo nuk ka qenë hera e parë që Faton Hajrizi kishte ikur nga burgjet e Kosovës.

Faton Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus të KFOR-it. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte vetëm 15-vjeçar.

Arrestohet edhe një person për arratisjen e Faton Hajrizit nga burgu