Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
MPJD: Serbia e liron Sadik Durakun
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka njoftuar se Sadik Duraku është liruar nga paraburgimi në Serbi.
Duraku, sipas MPJD-së është shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe dhe i njëjti ishte arrestuar më 17.04.2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci.
Ministria tha se arrestimi i të njëjtin është bërë “nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999”.
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla duke njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë të cilat në njoftim u tha se bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më 01.07.2024 i ishte drejtuar me një letër ministres serbe të Drejtësisë, Maja Popoviq, ku kishte kërkuar që kosovarët që po mbahen në burgje të Serbisë, të kthehen në Kosovë dhe të gjykohen këtu.
Ajo në rrjetin social Facebook, kishte shkruar se Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, duhet kthyer në Kosovë për t’u gjykuar drejt dhe paanshëm nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.