Faton Hajrizi

MPJD: Prokuroria e Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të Faton Hajrizit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se i vrari nga Policia serbe më 19.07.2024 është Faton Hajrizi.

Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tha për Kallxo.com Leutrim Sahiti, këshilltar i ministres Donika Gërvalla.

“Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë” – tha ai.

Sahiti tha se opinioni do të informohet rreth procedurave të mëtutjeshme mjekoligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 06.07.2024, ku po vuante një dënim me burgim.

Avokati Arianit Koci ka qenë në Serbi për të konfirmuar nëse i vrari është Faton Hajrizi dhe për të parë mundësinë e kthimit të trupit të tij në Kosovë.

“E konfirmoj. Trupin e pajetë e pashë. Tash mbetet me e konfirmu edhe ekspertët tanë“ – tha avokati Koci për KALLXO.com më 08.08.2024.

Më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shenjat e gishtërinjve që janë pranuar nga autoritetet në Serbi janë përputhur me ato të Faton Hajrizit.

Hajrizi dyshohet se u vra në Serbi një ditë pas një incidenti gjatë të cilit ishte vrarë një polic serb dhe ishte plagosur një tjetër.

Avokati Koci: E konfirmoj, e kam parë trupin e pajetë të Faton Hajrizit