Foto: MPJD

MPJD pagoi mbi 5 mijë euro bileta udhëtimi për personat që nuk janë zyrtarë të ministrisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte paguar mbi 5 mijë euro bileta për 4 persona që nuk janë pjesë e ministrisë.

Bileta më e shtrenjtë kishte qenë në destinacionin Abudabi-Cyrih në vlerë 4,715 eurove.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i publikuar në raportin e vitit 2020.

Nga kategoria mallra dhe shërbime, MPJD me aprovim të Sekretarit të Përgjithshëm kishte bërë pagesa për bileta të udhëtimit për persona të cilët nuk janë staf i saj.

“Pagesat ishin bërë për një person në destinacionin Abudabi-Cyrih në vlerë 4,715 euro dhe për tre persona në destinacionin Cyrih-Prishtinë në vlerë totale prej 897 euro”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përsonat që kishin gëzuar këto bileta, në një deklaratë me shkrim ishin zotuar se pas arritjes në Kosovë do t’i kompensojnë mjetet financiare në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Auditori kishte kërkuar sqarime nëse mjetet për pagesën e biletave janë kthyer në MPJD por sipas zyrtarëve të ministrisë mjetet nuk ishin kthyer derisa ministria ishte në auditim.

Tutje Auditori ka sqaruar se e gjithë kjo ka ndodhur në kohën e pandemisë COVID-19.

“Sipas korrespodencave kjo kishte ndodhur si pasojë e mbylljes totale nga COVID-19 dhe qytetarëve ju ka humbur e drejta e udhëtimit me biletat që i kanë poseduar”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit “mos kthimi i mjeteve nga palët e treta sipas kërkesës së Ministrisë krijon shpenzime të parregullta dhe paraqet keqpërdorim të parasë publike”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është pajtuar më gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Në fund të raportit, ministrJa Gërvalla ka marrë edhe rekomandime nga Auditori.

“Ministrja duhet të ndërmerr masa që në rastet e pagesave për persona tjerë që nuk janë pjesë e MPJD-së, të sigurohet se këto mjete do të kthehen në llogarinë e ministrisë sipas zotimit të përfituesit, në periudhën e caktuar nga ministria”, thuhet në raport.