MPJD njofton për ndalimin 48 orësh të një qytetari nga policia serbe dhe marrjen në pyetje të policit në Merdarë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se mediat serbe kanë përcjellur sot, më 12.10.2024, deklaratën e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, në lidhje me arrestimin e qytetarit M. I. nga policia serbe.

M. I. u arrestua nga policia serbe në ora 06:00, në vendkalimin kufitar të Serbisë e Hungarisë, në Horgosh, nën akuzat për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Republikë së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministri Daçiq pretendon se M. I. e kishte rrëmbyer një çift bashkëshortor të etnisë serbe në Prishtinë, më 1999.

“Ministri i brendshëm serb pretendon në deklaratën e tij se rasti  ka të bëjë me gjoja rrëmbimin një çifti bashkëshortor të etnisë serbe në Prishtinë, nga M. I. në qershor 1999, të cilët pastaj sipas pretendimeve të Daçiq qenkan dërguar në një burg të improvizuar, ku i qenkan nënshtruar dhunës fizike dhe psikologjike” – thuhet në njoftimin e MPJD.

Ministria e Punëve të Jashtme e konfirmon se qytetarit M. I. organet policore serbe i kanë shqiptuar masën e arrestit prej 48 orësh.

“Shtetasit të Kosovës M. I. organet policore i kanë shqiptuar masën e arrestit prej 48 orëve, ndërsa thuhet që pas kësaj periudhe ai do t’i dorëzohet Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës së Beogradit për procedura të mëtejme” – njofton MPJD.

Dy orë pasi është arrestuar M. I., një pjesëtar i Policisë së Kosovës është ndaluar dhe është marrë në pyetje nga policia kufitare serbe në Merdarë. 

“Poashtu sot, rreth orës 8:00 të mëngjesit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u ndalua dhe u mor në pyetje nga policia kufitare serbe në pikën kufitare të Merdares, ndërsa po udhëtonte me autobus nëpër Serbi drejt Republikës Federale të Gjermanisë. Pas disa orësh ndalimi, z. Berisha u lirua dhe po vazhdon udhëtimin drejt Gjermanisë” – kanë shtuar nga MPJD.

Si rrjedhojë e këtyre dy rasteve, MPJD thotë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka reaguar menjëherë duke i dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të konfirmuar vërtetësinë e rastit të arrestimit dhe për të siguruar informacionet relevante, përfshirë identitetin e plotë të personit të arrestuar, rrethanat e arrestit dhe lokacionin aktual ku ai po mbahet.

“Për këtë çështje janë njoftuar edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Kosovë dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian” – kanë thënë nga MPJD.

MPJD siguron se institucionet e Kosovës janë duke ndjekur nga afër këtë rast dhe do informojnë rreth detajeve tjera.